Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar sot drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit të Policisë së Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi.
Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit janë duke zhvilluar një hetim paraprak ndaj zyrtarit në fjalë lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.
“Dyshimet hetimore përfshijnë rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale, për të cilat janë duke u shqyrtuar vendimmarrja, mënyra e zhvillimit të procedurave dhe respektimi i kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës”, thuhet në njoftim.
IPK ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendim është bërë për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit hetimor, deri në përfundimin e hetimit penal.
“IPK në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtyre dyshimeve”, thuhet më tej.
Inspektorati Policor i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit ligjor, duke trajtuar me prioritet çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, cenim të integritetit institucional dhe shkelje të ligjit nga zyrtarët policorë, pavarësisht pozitës apo funksionit që ushtrojnë.
“Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, IPK në këtë fazë të hetimit nuk mund të ofrojë detaje të tjera lidhur me këtë rast”, përfundon njoftimi.

