Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim Troja Bicurrin dhe Dalina Haxhiun, fitueset e Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës” 2026. Në takim morën pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, dhe drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, me të cilat u diskutua për organizimin e edicionit të sivjetmë dhe vazhdimësinë e festivalit në vitet e ardhshme.
Bogujevci ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për përvojën e fitueseve në festival, përgatitjet dhe emocionet e ngjitjes në skenë.
“Me kënaqësi i prita sot në takim Troja Bicurrin dhe Dalina Haxhiun, fitueset e Festivalit të Këngës ‘Akordet e Kosovës’ 2026”, ka shkruar Bogujevci.
Ministrja ka njoftuar se në takim kanë qenë edhe drejtoresha e RTK-së, Zana Spahiu, dhe drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, me të cilat kanë diskutuar për organizimin dhe punën e bërë në edicionin e sivjetmë.
“Bashkë me drejtoreshën e RTK-së, Zana Spahiu, dhe drejtoreshën e festivalit, Arta Avdiu, diskutuam për organizimin dhe punën e bërë në edicionin e sivjetmë, si dhe për vazhdimësinë e ‘Akordeve të Kosovës’ në vitet e ardhshme”, ka theksuar ajo.
Bogujevci ka uruar fitueset për suksese të tjera në karrierën e tyre muzikore.
“I urova Trojës dhe Dalinës shumë suksese të tjera në rrugëtimin e tyre muzikor”, ka shkruar ministrja.

