Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe shkolla e Gjuhës dhe Kulturës Italiane “Centro Dante” kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për organizimin e kurseve të gjuhës italiane për gratë e privuara nga liria dhe të miturit në institucionet korrektuese.
Memorandumi është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, dhe drejtoresha e “Centro Dante”, Arjeta Berisha.
Sipas njoftimit të SHKK-së, kurset do të ofrohen pa pagesë dhe do të përfshijnë mësimdhënës të kualifikuar, program mësimor dhe materiale edukative, të siguruara nga shkolla “Centro Dante”.
Mësimi parashihet të organizohet një herë në javë, në institucionet përkatëse korrektuese, në përputhje me kushtet organizative dhe të sigurisë.
Ky bashkëpunim synon të krijojë mundësi të reja për arsimim dhe zhvillim personal, si dhe të kontribuojë në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria në shoqëri.

