Të paktën 16 persona kanë vdekur në një shpërthim në uzinën e çelikut Habas në komunën Aliaga në Turqinë perëndimore, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Erdogan tha se 13 persona u plagosën në shpërthim, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
“16 nga vëllezërit tanë vdiqën në shpërthimin në një fabrikë në Izmir. Menjëherë pas ngjarjes, me urdhër tim, ministrat tanë shkuan në Izmir. Ka nisur një hetim për shpërthimin”, tha Erdogan, sipas mediave turke.
Ai shtoi se është nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ. Sipas tij, do të përcaktohen shkaqet e aksidentit dhe ata që janë përgjegjës për të.
Shpërthimi ndodhi rreth mesditës sipas kohës lokale. Fabrika ndodhet rreth 60 kilometra në veri të Izmirit. Zyra e Guvernatorit të Izmirit njoftoi se, sipas gjetjeve të para, një vinç në tavan u thye gjatë derdhjes së çelikut të lëngshëm dhe ra në furrën me hark elektrik.
Një zjarr shpërtheu në fabrikë pas shpërthimit. Mediat turke raportuan se policia kishte arrestuar pesë persona si pjesë e hetimit, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

