Gjenerali në pension i Ushtrisë Ruse, Leonid Ivashov, i ka thënë Vladimir Putinit se e ka humbur luftën në Ukrainë. Ai bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe rikthim në negociata, raportuan mediat ukrainase.
Ivashov e bëri deklaratën në një transmetim të drejtpërdrejtë me blogerin rus Pavel Ivanov. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Putinit, ai tha: “Humbët, nuk parashikuat asgjë. Nuk patët trurin për të kuptuar se lufta nuk do të ishte një lloj operacioni i lehtë: nxitohesh, ngul këmbë diku dhe kaq, fitorja.”
Sipas tij, “operacioni i lehtë ushtarak” i premtuar nga Kremlini ka dështuar plotësisht. Vazhdimi i luftës, tha ai, po e shtyn Rusinë drejt militarizimit të plotë dhe stagnimit të thellë të jetës civile, nga ekonomia dhe arsimi te kultura. Ai shtoi se zgjatja e luftimeve po shkatërron të ardhmen e vendit për hir të mbijetesës politike të një njeriu.
Ivashov kryeson Asamblenë Gjithë-Ruse të Oficerëve dhe ka qenë kritik ndaj luftës që para se të fillonte. Në shkurt të vitit 2022, disa javë para pushtimit, ai e paralajmëroi publikisht Kremlinin se një sulm ndaj Ukrainës mund të kërcënonte vetë ekzistencën e Rusisë. Më pas ai i bëri thirrje Putinit të jepte dorëheqjen.
Në fund të vitit të kaluar, ai vlerësoi se Rusia kishte përjetuar tashmë një disfatë strategjike në luftë.
Deklarata e tij vjen ndërsa fillojnë bisedimet midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi për një marrëveshje të mundshme paqeje.

