Në vazhdën e zhvillimit të hetimeve të rastit të datës 04.10.2026, Policia e Kosovës njofton se sot, në cilësi të të dyshuarave janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Të dyshuarit janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar’. Dy të dyshuarit: H.L., dhe T.M., (meshkuj kosovarë), në cilësi të drejtorit të një kompanie, gjegjësisht tjetri si menaxher i saj, dyshohen që kanë pranuar dy grante në vlerë prej 575,736.00 €.
Granti i parë është fituar në vlerë prej 293,500.00 €. Dyshohet që nga shuma e përgjithshme e këtij garanti janë keqpërdorur 23,000.00 € duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi.
Granti i dytë është fituar në vlerë prej 282,236.00€, nga kjo shumë janë keqpërdorur 39,902.00€ duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi.
“Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 € në tersi. Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës dhe më pas, me urdhër të prokurorit të rastit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, njofton Policia.

