Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke shpërndarë në rrjetet sociale reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ndërkohë, Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm nesër në Kuvend të këtyre ndryshimeve ligjore.
Sipas Zyrës së BE-së, ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Zyra e BE-së ka theksuar se ndryshimet ngrenë shqetësime edhe për kushtetutshmërinë e tyre, duke kërkuar konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

