Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar tri marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë dhe një traktat me Mbretërinë e Belgjikës, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik në çështjet penale.
“Duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta mbështesni këtë projekt”, tha ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Me këto marrëveshje, Kosova dhe Suedia rregullojnë bashkëpunimin në fushën e ekstradimit, transferimit të personave të dënuar dhe ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Ndërkaq, traktati me Belgjikën ka të bëjë me ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Poashtu, deputetët votuan edhe Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Sesionin Vjeshtor 2026.
Nis vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës | LIVE
Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së sotme, në rend dite të së cilës janë disa pika, përfshirë edhe votimin e Ligjit për Specialen.
Pikat e rendit të ditës:
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-024 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-025 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-026 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale;
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 11/L-027 për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës;
Propozim-Programi i Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Sesionin Vjeshtor 2026;
Interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike;
Mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

