ATSH/ Ansambli Folklorik “Carevo” nga Bullgaria prezantoi dje në Tiranë një program artistik me këngë, muzikë dhe valle tradicionale bullgare.
Koncerti u zhvillua në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë dhe u organizua nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit – një festë e rëndësishme kushtuar figurave që kontribuuan në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe ndërgjegjes kombëtare bullgare.
Programi përfshiu interpretime nga shtatë rajonet folklorike të Bullgarisë, duke sjellë para publikut larminë e traditave muzikore dhe koreografike të vendit. Përmes këngëve tradicionale shumëzërëshe, valleve karakteristike dhe kostumeve autentike popullore, ansambli prezantoi pasurinë dhe veçoritë e trashëgimisë kulturore bullgare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Bullgarisë falënderoi artistët e Ansamblit “Carevo”, të cilët përshkuan 1 000 kilometra për të ndarë me publikun në Tiranë pasurinë e folklorit bullgar. Ai theksoi rëndësinë e veprimtarive kulturore në afrimin e popullit bullgar dhe atij shqiptar, si dhe në forcimin e miqësisë dhe mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Shoqatës “Bullgarët e Shqipërisë” dhe në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Georgi Kondollov – 1914” nga qyteti i Carevos. Të pranishëm ishin përfaqësuesit e trupit diplomatik, institucioneve shqiptare dhe shumë miq të Bullgarisë.

