Nga Ymer Hysa -Mjek Veteriner
Para disa vitesh në një takim me Zëvendësministren e Bujqësisë dhe zhvillimit Rural, sot ish zëvendësministre dhe Drejtorin e Përgjithshëm të AKVMB të zhvilluar në Drejtorinë Rajonale të AKVMB Shkoder, me praninë edhe të tre drejtorëve rajonalë Tiranë, Elbasan dhe Vlorë unë shtrova pyetjen:
-Përse në thertoret private të ngritura për të therur vetëm bagëtitë e stabilimentit të tyre janë të punësuar Veterinerë Zyrtarë Kontrolli që paguhen nga shteti dhe në subjekte të tjera si Fabrika industriale të Përpunim Qumështit, përpunimit të Mishit, Depot Farmaceutike Veterinare etj jo?
Pas disa shkëmbime argumentash mes meje dhe zevendesministres, nuk ramë dakort dhe unë e mbylla këmbënguljen time me shprehjen: “E lëmë, se bindim dot njëri tjetrin, hollë-hollë s’të kuptoj unë, trashë-trashë s’më kupton ti”.
Pyetja ime kishte të bënte: Përse nuk trajtohen njëlloj subjektet private me financim shtetëror të kontrollit me Veteriner Zyrtar si Thertoret e Kafshëve dhe Shpendëve, edhe Fabrikat e Përpunimit të Qumështin, Fabrikat e Përpunimit të Mishit, Depot e Farmaceutike Veterinare etj, pasi të gjithë këto subjekte janë të lidhura me sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit.
Këtë pyetje e shtroj edhe sot në kuadër të reformimit të shërbimit veterinar shqiptar.
Dihet se thertoret, fabrikat e përpunimit të qumështit, farmacitë veterinare etj janë subjekte që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorin privat dhe që i nënshtrohen kërkesave ligjore përkatëse.
Në këtë kuadër, për autoritetet kompetente lind nevoja të sqarojnë arsyen ligjore dhe ekonomike përse në thertore private Veterineri Zyrtar i Kontrollit financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa subjektet e tjera duhet të sigurojnë vetë shërbimet veterinare të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe pse përballë sigurise ushqimore janë po kaq të rëndësishme.
Nga përvoja ime shumë vjeçare jam bindur se kontrolli zyrtar veterinar është një funksion publik dhe duhet të ushtrohet nga një autoritet kompetent, i pa anshëm dhe i pa varur nga operatori ekonomik. Përndryshe financimi i këtij funksioni nga buxheti i shtetit, pa një mekanizëm të qartë të ndarjes së kostove dhe përgjegjësive, ngre çështje të rëndësishme që lidhen me:
Së pari me trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Së dyti me përdorimin e fondeve publike për kontrollin e veprimtarive private.
Së treti me ndarjen e përgjegjësive ndërmjet operatorit ekonomik dhe autoritetit shtetëror.
Së katërti me pavarësinë dhe objektivitetin e kontrollit zyrtar.
Për këto arsye, kërkohet sqarimi i bazës ligjore që justifikon këtë regjim të posaçëm për thertoret, si dhe vlerësimi nëse ekziston mundësia e një modeli ku operatori ekonomik përballon kostot e kontrollit zyrtar nëpërmjet tarifave të përcaktuara me ligj, ndërsa AKVMB-ja ruan pavarësinë e plotë në ushtrimin e funksioneve të saj.
Kërkohet gjithashtu sqarimi nëse legjislacioni në fuqi parashikon detyrimin e thertores për të pasur veterinerin e vet, i cili do të ishte përgjegjës për zbatimin e procedurave të brendshme veterinare, ndërsa veterineri zyrtar shtetëror do të ushtronte kontrollin publik mbi subjektin.
Gjëndja e sotme për mendimin tim përbën konflikt interesi pasi veterineri i kontrollit shtetëror i caktuar në thertoren private kontrollohet nga kolegu i tij, i të njëjtit stad, gjë që lë shkas edhe për neglizhencë.
Përfundimisht shpreh opinionin tim si Mjek Veteriner me përvojë prej disa dekadash në profesion, duke marrë shkas edhe nga njoftimet e herë pas herëshme të AKU-së dhe medias për qumësht me Aflatoksinë dhe produkte mishi me salmonelozë etj, subjekte këto që nuk kanë Veterinerë Zyrtarë Kontrolli siç kanë thertoret, por që rrezikshmërinë për konsumatorin e kanë në nivel të lartë.
Është imperative e kohës që këto subjekte dhe fermat e mëdha të kenë drejtues teknikë specialistë të fushës së veterinarisë dhe aktiviteti të mbulohet njëlloj me Mjekë Veterinerë Zyrtarë Shtetërorë.
Nëse nuk veprojmë kështu nuk jemi të garantuar si vjen ushqimi nga ferma në tavolinë duke kaluar nëpër hallka si thertoret, fabrikat e përpunimit të qumështit, fabrikat e përpunimit të mishit etj.

