Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas anulimit të takimit në Athinë, ku ishte paraparë të diskutoheshin përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Rama ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit rreth këtij projekti.
Duke iu referuar njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, ai ka theksuar se anulimi i takimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare erdhi si pasojë e mungesës së përgjigjeve, mosrealizimit të obligimeve dhe moskonfirmimit të delegacionit brenda afatit të përcaktuar.
Kreu i kryeqytetit ka vlerësuar se takimi në Athinë përfaqësonte një mundësi të rëndësishme për të ndërmarrë hapat e fundit drejt tejkalimit të problemeve që mund të ndikojnë në organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.
Anulimi i takimit ka shtuar shqetësimet për ecurinë e përgatitjeve për “Prishtina 2030”, ndërsa Rama ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të japin llogari për situatën e krijuar.

