Forcimi i kapaciteteve për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit në burgje ishte në fokus të takimit ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, dhe Menaxherit të Programit Rajonal të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Predrag Sofranac.
Sipas njoftimit të SHKK-së, në takim është diskutuar edhe për avancimin e programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave të burgosur të përfshirë në ekstremizëm të dhunshëm.
Palët kanë shqyrtuar arritjet e Fazës së Tretë të Programit Horizontal (HFIII), si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të aksionit rajonal për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgjet e Ballkanit Perëndimor dhe parandalimin e radikalizimit pas lirimit.

