Monday, November 16, 2026
HomeLajmeKosovëKDI: Qytetarët kërkojnë më shumë llogaridhënie në drejtësi

KDI: Qytetarët kërkojnë më shumë llogaridhënie në drejtësi

Vetëm 8.5 për qind e qytetarëve në Kosovë besojnë se gjyqtarët dhe prokurorët janë plotësisht të pavarur nga ndikimet politike, ekonomike apo ndikimet e tjera. Ndërsa, më shumë se 78 për qind vlerësojnë se ata nuk janë plotësisht ose janë vetëm deri diku të pavarur.

Këto janë disa nga gjetjet e sondazhit të publikuar të hënën nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i realizuar gjatë muajit tetor me 1,065 të anketuar, lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Sipas rezultateve, qytetarët shprehin shqetësime edhe për llogaridhënien në sistemin e drejtësisë. Vetëm 38.8 për qind pajtohen se ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkelin rregullat ndërmerren masa të duhura, ndërsa 40.8 për qind mendojnë se nuk merren masa ndëshkimore.

Shqetësim tjetër mbeten vonesat në trajtimin e lëndëve. Rreth 48.4 për qind e të anketuarve vlerësojnë se gjykatat nuk i përfundojnë rastet brenda një kohe të arsyeshme, ndërsa 39.5 për qind mendojnë se ato trajtohen me kohë.

Sondazhi tregon gjithashtu se 50.6 për qind e qytetarëve besojnë se do ta kishin të vështirë ose shumë të vështirë t’i mbronin të drejtat e tyre përmes institucioneve të drejtësisë.

Sa i përket prioriteteve për përmirësimin e sistemit, të anketuarit kanë përmendur zvogëlimin e ndikimit politik te gjyqtarët dhe prokurorët, me 44.7 për qind, luftimin më efektiv të korrupsionit në drejtësi, me 43.2 për qind, si dhe forcimin e llogaridhënies, me 40 për qind.

Ndër prioritetet e tjera janë trajtimi i lëndëve pa vonesa, i përzgjedhur nga 37.7 për qind e të anketuarve, dhe shkarkimi i gjyqtarëve e prokurorëve për rezultate të dobëta në punë, me 35.2 për qind.

KDI e ka realizuar sondazhin në kohën kur në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet pakoja e ligjeve për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Nga ky institut vlerësojnë se suksesi i reformës nuk duhet të matet vetëm me miratimin e ligjeve, por me rezultatet konkrete që ato do të sjellin në trajtimin më efikas të lëndëve dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Sondazhi është realizuar në kuadër të projektit për formësimin e reformave në drejtësi dhe kundër korrupsionit përmes dialogut, me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Kosovë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram