Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka publikuar një alarm sigurie për shtetasit amerikanë që ndodhen në Kosovë, duke kërkuar shtim të kujdesit me afrimin e sezonit të festave.
Përmes këtij njoftimi, qytetarëve amerikanë u është bërë thirrje që të jenë më të vëmendshëm ndaj situatave dhe zhvillimeve në ambientet ku qëndrojnë apo lëvizin.
“Qytetarët amerikanë duhet të jenë vigjilentë ndaj mjedisit të tyre dhe të praktikojnë siguri personale të shëndoshë dhe ndërgjegjësim situacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Ambasada nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me ndonjë kërcënim konkret, ndërsa apeli i saj fokusohet në parandalimin dhe kujdesin personal gjatë periudhës së festave.

