Financimi amerikan për projektet e AAFS me vlerë 2.3 miliardë dollarë në Bosnje dhe Hercegovinë, nga Ndërlidhja Jugore deri te aeroportet në Sarajevë dhe Mostar, është vënë në pikëpyetje, ndërsa bankat e zhvillimit në Uashington distancohen nga plani, raporton Bloomberg.
Banka e Eksport-Importit e Shteteve të Bashkuara (EXIM) dhe Korporata Amerikane e Financave për Zhvillim (DFC) u listuan si investitorë kryesorë në projektet e AAFS Infrastructure and Energy.
Kompania drejtohet nga Jesse Binnall, një ish-avokat i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, dhe Joseph Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të Trump, Michael Flynn.
Një zëdhënës i EXIM tha se banka “nuk ka miratuar ose nuk është zotuar për ndonjë financim për këtë kompani në këtë kohë”. Projekti nuk po ecën përpara në DFC, tha për Bloomberg një burim i njohur me situatën.
Bekan: I siguruar deri në 450 milionë euro
Amer Bekan, kreu i AAFS në Bosnjë dhe Hercegovinë, konfirmoi për Bloomberg se bisedimet me EXIM janë ndërprerë. Kompania, tha ai, po negocion me investitorë të tjerë dhe ka siguruar deri në 450 milionë euro për tubacionin.
Bekan pret që AAFS të nënshkruajë së shpejti një kontratë me Qeverinë e Federatës së BiH, entitetin në të cilin do të kryhen punimet.
Projektet vazhdojnë”, tha Bekan.Gazsjellës, termocentrale, aeroporte dhe qendra të dhënash
AAFS, e themeluar një vit më parë, njoftoi në prill një investim prej 1.5 miliardë eurosh në një tubacion gazi, tre termocentrale me gaz dhe zgjerimin dhe modernizimin e aeroporteve në Sarajevë dhe Mostar. Në gusht, planet u zgjeruan për të përfshirë një qendër të dhënash prej 100 megavatësh me infrastrukturë mbështetëse në Mostar, me vlerë rreth 530 milionë euro. Kjo e çon investimin total të planifikuar në mbi 2 miliardë euro.
Ndërlidhja Jugore duhet të lidhë BiH me rrjetin evropian të gazit nëpërmjet Kroacisë dhe t’i japë fund varësisë së plotë të vendit nga gazi rus.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, e prezantoi projektin në prill si pjesë të axhendës së Trumpit “Tubacioni i Paqes”, e cila synon të rrisë eksportet e naftës dhe gazit amerikan në Evropë.
Diplomatët amerikanë në Sarajevë në fillim të këtij viti e mirëpritën miratimin e projektit nga politikanët e Bosnjës dhe Hercegovinës si një hap të madh për sigurinë energjetike të vendit.

