Tuesday, November 17, 2026
HomeGjeopolitikOpinionKU ISHIT JU KUR KOSOVA KISHTE NEVOJË PËR ZËRIN TUAJ?!

KU ISHIT JU KUR KOSOVA KISHTE NEVOJË PËR ZËRIN TUAJ?!

Zejdush KASTRATI

Përtej atyre që publikisht po e duartrokasin veprimin dhe diskutimin brilant të zonjës Emini, pas skandalit me këngën në Bruksel, edhe në biseda mes miqsh e njerëzish të ndryshëm dje dhe sot, besoj se ia vlen të shtrohet një pyetje, pa doreza dhe pa kursyer askënd:

Ku ishit ju?!

Ju, disa që nuk jeni pak, sidomos ju nga politika, që keni vizituar dhjetëra herë Brukselin, Vjenën, Parisin, Uashingtonin e metropole të tjera, zyrtarisht, me delegacione, me shpenzime publike dhe në emër të Kosovës.

Pse në gjithë ato takime të rëndësishme, aty ku flitej për Kosovën, aty ku zhvilloheshin bisedimet me Serbinë, nuk ju kujtohet të keni folur me atë guxim, qartësi dhe vendosmëri që tregoi zonja Emini? Pse nuk e keni demaskuar hapur propagandën serbe, nuk i keni rrëzuar me fakte të pavërtetat dhe nuk e keni mbrojtur të vërtetën për Kosovën?

Pse heshtët?!

Ju që kishit mijëra argumente, ju që dispononit të vërtetën, ju që kishit edhe legjitimitetin institucional e politik për të folur, pse zgjodhët heshtjen? Pse silleshit sikur dikush tjetër duhej t’ju mbronte, dikush tjetër duhej të fliste në emrin tuaj dhe dikush tjetër duhej ta bartte barrën e mbrojtjes së Kosovës?

Ndërkohë, ju nuk e kishit aspak problem të përfitonit meditjet, të frekuentonit hotelet më të shtrenjta të metropoleve, madje edhe t’i ndërronit ato kur nuk kishin SPA apo shërbime parukerie. Për luksin dhe komoditetin tuaj kujdeseshit deri në detaje. Për Kosovën, për takimet, për argumentet dhe për atë se çfarë thuhej e shkruhej për vendin tuaj, duket se nuk kishit aq shumë brenga.
Disa prej jush kishit më shumë energji për të intriguar kundër njëri-tjetrit, për të dëmtuar një subjekt politik apo një lider partie, sesa për të mbrojtur interesin shtetëror. Madje, pati edhe të tillë që luftuan kundër proceseve jetike për Kosovën, përfshirë edhe kundër vetë aspiratës së saj për integrim.
Dhe sot, papritur, një zonjë që jeton dhe vepron jashtë Kosovës, pa ndonjë pushtet politik, pa delegacione, pa privilegje dhe pa gjithë atë luks institucional, ju tregoi se si mbrohet Kosova!
Një grua, një nënë, një intelektuale me dinjitet, kulturë, profesionalizëm dhe guxim qytetar. Një personalitet pa ngjyrim partiak, por me një ndjenjë të jashtëzakonshme atdhedashurie, e cila me argumente, dinjitet dhe vendosmëri bëri atë që shumë prej jush nuk e bëtë për vite të tëra.
Ajo na bëri krenarë. Por, njëkohësisht, juve ju la para pasqyrës së dështimeve tuaja.
Prandaj, mësoni njëherë e mirë, ju dështakë të politikës, dështakë të diplomacisë, të medias, të intelektualizmit dhe të opinionizmit: Kosova nuk mbrohet me fotografi nga hotelet luksoze, me statuse patriotike, me tituj e me privilegje zyrtare. Kosova mbrohet me dije, me guxim, me argumente dhe me dinjitet!
Disa prej jush Kosovën e keni trajtuar më shumë si bankomat për përfitime personale dhe politike, sesa si atdhe që kërkon përgjegjësi, sakrificë dhe përkushtim.
Dhe kjo është arsyeja pse sot nuk duhet të duartrokasim vetëm zonjën Emini. Duhet edhe t’ju kërkojmë llogari juve!
Sepse Kosova nuk ka vuajtur vetëm nga propaganda e të tjerëve. Ka vuajtur edhe nga heshtja, paaftësia, oportunizmi dhe interesat e atyre që është dashur ta mbrojnë!

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram