Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova mirëpresin përfshirjen e Japonisë në projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një takimi me përfaqësues të sipërmarrjes japoneze, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve strategjike.
Gjatë takimit, Rama ka theksuar rëndësinë e këtij projekti infrastrukturor për lidhjen rajonale dhe sigurinë, raporton RTSH.
“Së bashku me kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s. Ky mund të jetë një investim shumë interesant”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me partnerët japonezë në realizimin e këtij projekti.
“Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, deklaroi Rama.

