Dëshironi të shihni se si përgatitej vera vite më parë dhe të mësoni shumë histori të tjera interesante që lidhen me prodhimin e verës? Këtë mund ta bëni në Pleven – një nga qytetet më të mëdha të Bullgarisë Veriore dhe një qendër e rëndësishme administrative, kulturore dhe ekonomike e rajonit, që ruan një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, atraksione turistike tërheqëse, si dhe traditat e vreshtarisë dhe prodhimit të verës…
FOTO: Instituti i Vreshtarisë dhe i Verëtarisë në Pleven
Instituti i Vreshtarisë dhe i Verëtarisë në Pleven është i vetmi i këtij lloji në Bullgari dhe në Ballkan.Historia e themelimit të tij lidhet me zgjidhjen e një problemi konkret: në fund të shekullit XIX, sëmundja e filokserës shkatërroi sipërfaqe të mëdha vreshtash në Evropë. Pikërisht kjo krizë ishte një nga arsyet që çuan në krijimin e Stacionit Shtetëror Eksperimental në Pleven, në vitin 1902.Vendndodhja u përzgjodh me rekomandimin e profesor Pierre Viala-s, shkencëtar nga Instituti Bujqësor i Parisit, i cili e vlerësoi zonën përreth qytetit si të përshtatshme për ngritjen e një stacioni shkencor.
FOTO: Instituti i Vreshtarisë dhe i Verëtarisë në Pleven
Gjatë viteve, shkencëtarët këtu kanë krijuar mbi 45 varietete të reja rrushi. Ndër më të njohurat janë Storgozija, Kajllëshki, Rubin dhe Trapezica. Në koleksionin gjenetik të institutit ruhen 1865 varietete të kultivuara hardhish.Një tjetër pasuri e çmuar është kantina eksperimentale e verës, e cila sot zotëron një nga koleksionet më të vjetra të verërave në Bullgari dhe në rajonin e Ballkanit.Ky aspekt i historisë së verës në Pleven është tashmë pjesë e një përvoje të re turistike, të quajtur “Magjia e verëtarëve në Pleven”, e cila ndërthur historinë, shkencën, kulturën dhe gastronominë, për ta prezantuar qytetin në një mënyrë ndryshe, tërheqëse dhe të paharrueshme.
FOTO: Facebook /Instituti i Vreshtarisë dhe i Verëtarisë – Pleven
Rajoni i Plevenit ka rrënjë të thella në vreshtari dhe në prodhimin e verës – tradita që vazhdojnë edhe sot përmes formave bashkëkohore të turizmit të verës.Për historinë e pasur të këtyre trojeve dëshmojnë edhe zbulime të çmuara arkeologjike, ndër të cilat spikasin Thesari i Artë i Vëllçitrënit dhe Gjetja e Argjendtë e Bohotit, të cilat ruhen në Muzeun Historik Rajonal.
Qyteti është gjithashtu shtëpia e një prej shkollave bujqësore të specializuara më të vjetra në Bullgari – Gjimnazit Profesional të Vreshtarisë dhe Verëtarisë, i themeluar në vitin 1890.Vetëm dy vjet më vonë, aty u ndërtua një kantinë vere sipas modelit francez – e para e këtij lloji në vend, ku ruhet një nga koleksionet më të vjetra të verërave në Bullgari.Sot, ndërtesa historike gëzon statusin e monumentit të kulturës, administrohet nga Instituti i Vreshtarisë dhe Verëtarisë dhe është përfshirë në itinerarin e ri turistik.
FOTO: BTA
“Kantina, e cila ndodhet në oborrin e Institutit, ruan disa nga verërat më të vjetra të Gadishullit Ballkanik. Sigurisht, ato prej kohësh nuk janë më të përshtatshme për t’u pirë– ajo që ka vlerë është më tepër pluhuri që i mbulon dhe mundësia për të parë diçka që është prodhuar 130 vjet më parë”, – tregon Prof. Asoc. Emill Cvetanov, drejtor i Institutit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë, për korrespondenten e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në qytet, Llatinka Svetozarova.
Prof. As. Emill Cvetanov
FOTO: BTA
Nga historia e Institutit të Plevenit mësojmë se në vitin 1960 u realizua studimi i parë dhe deri më sot i vetmi në Bullgari për rajonizimin shkencor të vreshtarisë, bazuar në karakteristikat e tokës, klimës dhe faktorëve socialë. Ky studim u krye nën drejtimin e akademikut Kunjo Stoev, një prej shkencëtarëve më emblematikë bullgarë në këtë sektor.Në ditët e sotme, qendra kërkimore në Pleven ruan pozicionin e saj si koordinatore dhe zbatuese kryesore e programit kërkimor në fushën e vreshtarisë dhe verëtarisë. Një pjesë e veprimtarisë së saj është edhe mbështetja e zhvillimit dhe promovimit të turizmit të verës në Bullgari.Në këtë kuadër, në vitin 2022, Instituti, së bashku me qendrën kulturore “Sëgllasie 1869” në Pleven, ansamblin folklorik “Mizija” dhe kantinat vendase, regjistroi elementin “Prodhimi i verës – përgatitja tradicionale dhe përdorimi në rajonin e Plevenit” në Listën Përfaqësuese Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Republikës së Bullgarisë./bnrnews

