Policia e Kosovës ka certifikuar 175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH), pas përfundimit të trajnimit profesional në modulin “Ballafaqimi me Turma”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, trajnimi është zhvilluar në pesë grupe, ndërsa me certifikimin e grupit të pestë është përmbyllur i gjithë cikli i këtij programi.
Trajnimi është realizuar nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (NJSO), në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit.
“Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të stafit udhëheqës të Departamentit dhe Divizionit të Njësive Speciale, instruktorët e NJSO-së, si dhe përfaqësues të stafit mbikëqyrës të Drejtorisë Rajonale të Policisë – Mitrovica Jug”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, ky program është pjesë e aktiviteteve për zhvillimin profesional të Njësive për Reagim të Shpejtë, me fokus në standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave policore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin e burimeve njerëzore dhe forcimin e kapaciteteve profesionale dhe operative të njësive policore.

