Me një ndjeshmëri të thellë kombëtare dhe respekt të pakufishëm për figurën e Jakup Krasniqit, gazetari dhe publicisti Aleksandër Çipa ka ndarë këto mendime prekëse mbi portretin, sakrificën dhe peshën e padrejtësisë historike që rëndon mbi çlirimtarët tanë. Postimi i plote i tij:
“Ky nuk është thjesht portreti i plakur i Jakup Krasniqit, me honin e dhimbjes për mosnjohjen e kontributit për lirinë dhe të drejtën e popullit dhe vendit; të pjesës-gjysmë të kombit të tij shqiptar.
Ky është portreti i zhgënjyer, por i paepur, i një burri kombi.
Shqiptarët duhet të lexojnë çdo thinjë, çdo rrudhë, çdo shprehje dhe, sidomos: duhet të zhyten me mendim në thellësitë e pashtershme të shikimit të këtij burri…
Ky burrë i luftës dhe i mendimit ekzistencial shqiptar, me këtë fotografi të portretit të vet, do të mbetet e kujtohet si heroi, luftëtari, çlirimtari dhe sidomos intelektuali dhe veterani shqiptar që bëri kohën e vet kur Atdheun tonë e kombin Shqiptar, prej shekujsh, nuk e kanë lejuar të bëjë epokën e vet.
Unë i përçmoj gjithë ata shqiptarë (të quajtur) që fillojnë komentet dhe analizat gjykuese për një Burrë të tillë Shqiptar që nuk ka rreshtur e nuk ka mënuar të japë e të dëshmojë kontributin, sakrificën dhe vuajtjen shpirtërore të vetvetes dhe familjes, si për çlirimin, ashtu edhe për bindjen për të drejtën e lirisë së Republikës së dytë të kombit shqiptar, Kosovës. (!)
Zotni Krasniqi, ndrite fytyrën tënde sepse e ke dhuruar dritën për lirinë dhe të drejtën e popullit dhe kombit tonë!
Ju keni fituar mirënjohjen dhe nderimin e disa brezave njerëzorë të kombit shqiptar por, fatkeqësisht, në të njëjtën kohë, kur bota dhe meskiniteti i interesave politike të fuqive apo kulisave gjeopolitike, regjizuan procesin gjykues për çlirimtarët unikë të kombit shqiptar në shekullin XXI. (!)
…
I përndritshmi zotni Krasniqi,
Ju e keni bërë historinë,
ju po e shtoni historinë dhe;
ju po e përçoni të drejtën tuaj të vështirë gjykueshme, ndër breza të genit shqiptar, si të pandëshkueshme.
Ta paçim zilinë për historinë dhe kontributin tuaj!
Jetofsh me portretin tënd, (sot të zymtë e ), përhershmërisht të ndritshëm!
Të jemi mirënjohës, zotëri!”,ka shkruar Çipa

