Tuesday, November 24, 2026
HomeLajmeKosovëNdërpritet seanca, Berisha: Aktakuza ndaj Jeton Sylajt ka lëshim skandaloz

Ndërpritet seanca, Berisha: Aktakuza ndaj Jeton Sylajt ka lëshim skandaloz

Seanca fillestare ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Pejë, pas kërkesës së avokatit të familjes Zekaj, Besnik Berisha, për ndryshimin e aktakuzës.

Berisha ka deklaruar se seanca fillestare ndaj Jeton Sylajt është ndërprerë pas kërkesës së tij për tërheqjen dhe rishqyrtimin e aktakuzës.

Berisha ka thënë se në aktakuzën e Prokurorisë, Arlinda Zekaj nuk është cilësuar si viktimë e ndjeshme, duke e konsideruar këtë një lëshim skandaloz.

Sipas tij, një gjë e tillë u bë për shkak të ngutisë së Prokurorisë për ta dorëzuar aktakuzën, pa i analizuar siç duhet të gjitha rrethanat e rastit.

“Arsyeja e mosmbajtjes së seancës lidhet me një kërkesë timen pas pranimit të aktakuzës, ku e kam vërejtur një lëshim skandaloz të prokurorit që e ka shkruar aktakuzën, duke mos e cilësuar tani të ndjerën si viktimë të ndjeshme dhe duke dhënë beneficione që nuk i jep ligji e as praktika gjyqësore, si ish-bashkëshortit të saj të akuzuar për kanosje të rëndë”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se i ka kërkuar Prokurorisë ta tërheqë aktakuzën dhe ta vlerësojë edhe një herë ligjshmërinë e saj.

Berisha ka theksuar se cilësimi i viktimës si e ndjeshme ndikon edhe në kualifikimin juridik të rastit dhe në lartësinë e dënimit të paraparë me ligj.

Sipas tij, në këtë rast dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim.

Nën masa të rrepta policore, Jeton Sylaj sillet në Gjykatën Themelore në Pejë

Seanca ndaj të akuzuarit për kanosje ndaj ish-bashkëshortes së tij, Jeton Sylaj po zhvillohet pa praninë e mediave.

Ndërkaq, lidhur me rastin në fjalë, sipas burimeve të RTK-së brenda Prokurorisë, janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, në mesin e tyre edhe vjehrra e Arlindës dhe kunati i saj.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare nga Peja, u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë, teksa i dyshuar është kunati i saj, Albert Sylaj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram