Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë propozimin e presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për ta shoqëruar personalisht në Moskë për negociata me presidentin rus Vladimir Putin. Zelenski e quajti propozimin të pavlerë dhe u përgjigj se Lukashenko mund ta sjellë Putinin në Kiev.
“Ai sugjeron të më marrë me vete. Çfarë jam unë, një valixhe? Të më fusë në një aeroplan dhe të fluturojë larg. Kjo nuk është një bisedë serioze”, tha Zelensky. “Ai mund ta marrë Putinin dhe të fluturojë me të për në Kiev. Dhe ne do të garantojmë sigurinë e tyre këtu”, shtoi ai.
“Nuk mund të takohemi në Moskë apo Kiev”
Presidenti ukrainas theksoi se për shkak të luftës, një takim me Putinin nuk është i mundur as në Rusi dhe as në kryeqytetin ukrainas. Ai vlerësoi se propozimi i Lukashenkos nuk kontribuon në përfundimin e luftës.
“Jemi në luftë. Nuk mund të takohemi as në Moskë dhe as në Kiev. Të gjithë e kuptojmë këtë shumë mirë. Kur dikush thotë diçka të tillë, thjesht nuk është një bisedë serioze. Ai person nuk po na afron më shumë me përfundimin e luftës”, tha Zelensky.
Lukashenko ofroi garanci sigurie
Presidenti bjellorus më herët sot propozoi që ta shoqërojë personalisht Zelenskyn në negociatat me Putinin dhe të garantojë sigurinë e tij.
“Ne të dy. Mund ta shoqëroja në Moskë si garant i sigurisë së tij e kështu me radhë. Mund të hipja në një aeroplan me të dhe të fluturoja për në Moskë”, tha Lukashenko.

