Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kanë reaguar pas tensioneve të sotme në Kuvendin Komunal, ku debati për financimin e klubeve sportive çoi në ndërprerjen e seancës.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka mohuar pretendimet për rrahje në Kuvendin Komunal, duke thënë se për këtë ekzistojnë dëshmi me video-incizime.
“Njoftojmë qytetarët e Mitrovicës se pretendimet për gjoja rrahje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës janë plotësisht të pavërteta, për çka ekzistojnë dëshmi me video-incizime”, ka shkruar Peci.
Sipas tij, konflikti verbal është nxitur fillimisht nga dy asamblistët e PDK-së në drejtim të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani.
“Reagimi erdhi pasi drejtori Asllani rikujtoi keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes së kaluar, për çka edhe ishte arrestuar ish-drejtori i PDK-së”, ka shkruar Peci.
Ai ka shtuar se qeverisja e tij nuk shantazhohet, as me kërcënime me grushte, as me ndonjë kërcënim tjetër.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar qeverisjen komunale për situatën e krijuar.
“Kjo që ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës është pasojë e arrogancës, papërgjegjësisë dhe qeverisjes së mbrapshtë që është instaluar në qytetin tonë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka akuzuar pushtetin komunal se e ka shndërruar Kuvendin Komunal në arenë provokimesh e përplasjesh fizike, ndërkohë që, sipas tij, në prapaskenë po bën pazare me pronat publike.
“Nuk do ta lejojmë askënd t’i keqpërdorë pasuritë e Mitrovicës për interesa politike, personale apo klienteliste. Kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të na ketë përballë! Pronën publike dhe interesin e qytetarëve do t’i mbrojmë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht!”, ka shkruar Tahiri.

