Thursday, November 26, 2026
HomeGjeopolitikOpinionAsnjë ngjarje e rëndë nuk mund ta klasifikojë Fierin si “qytet të...

Asnjë ngjarje e rëndë nuk mund ta klasifikojë Fierin si “qytet të krimit”! Ky epitet është i padrejtë!

Nga Vladimir Muçaj

Si banor i këtij qyteti dhe si gazetar prej shumë vitesh, ndiej nevojën të them disa fjalë për një çështje që, ndoshta, deri më sot nuk e kam trajtuar publikisht me këtë këndvështrim.

Shkas për këtë reagim janë disa etiketime të përdorura nga gazetarë të Tiranës, miq e kolegë të mi prej më shumë se dy dekadash, të cilët, pas ngjarjeve të rënda kriminale, i vendosin Fierit nofkën e një qyteti që është kthyer në “magazinë të krimit”.Jo!

Nuk është kështu.

Dhe, mbi të gjitha, nuk është e drejtë që një qytet i tërë të identifikohet me krimin për shkak të ngjarjeve të rënda që ndodhin në territorin e tij.

Askush nuk mund dhe nuk duhet të mohojë se në Fier kanë ndodhur ngjarje të rënda kriminale, përfshirë edhe vrasje që kanë tronditur opinionin publik.

Rasti më i fundit, me dy viktima, është një tjetër ngjarje tragjike që kërkon zbardhjen e plotë të saj dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.

Por ngjarjet kriminale nuk janë një fenomen i izoluar vetëm në Fier. Ato kanë ndodhur dhe ndodhin edhe në shumë qytete e territore të tjera të vendit.

Dinamika e krimit është komplekse, motivet janë të ndryshme dhe çdo ngjarje duhet analizuar në rrethanat e saj konkrete. Nuk mund të ndërtohet identiteti i një qyteti mbi kronikën e zezë.

E them këtë me bindje, si një vëzhgues i vazhdueshëm i zhvillimeve, problematikave dhe dinamikave të këtij territori.

Fieri është shumë më tepër se lajmet e kronikës së zezë. Është një qytet që ka pësuar ndryshime të rëndësishme ndër vite, ku ekonomia dhe biznesi vijojnë të lëvizin e të zhvillohen, pavarësisht problematikave që nuk mungojnë. Është një qytet me traditë, me histori, me art dhe me aktivitet kulturor.

Fieri ka edhe një pasuri të veçantë njerëzore: bashkëjetesën.

Në këtë qytet jetojnë në harmoni komunitete me prejardhje dhe tradita të ndryshme. Myzeqarë, mallakastriotë, lebër, çamë e kosovarë kanë ndërtuar së bashku një realitet komunitar, ku respekti dhe bashkëjetesa janë vlera të konsoliduara.

Kjo është një pjesë e rëndësishme e identitetit të Fierit, që nuk mund të fshihet pas një etikete të nxituar mediatike.

Sigurisht, rendi dhe siguria publike mbeten çështje që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Policia dhe institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të jenë të pranishme dhe të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo elementi kriminal.

Ngjarja e fundit me dy viktima kërkon një hetim profesional, të shpejtë dhe të plotë, në mënyrë që autorët të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë.

Në djeninë time profesionale policia e Fierit në bashkërendim me organe të tjera ligjzbatuese është në intesitet të lartë pune dhe angazhimi për ngjarjen!

Por edhe media ka përgjegjësinë e saj. Kritika ndaj institucioneve është e domosdoshme, denoncimi i problematikave është pjesë e misionit të gazetarisë, por etiketimi i një qyteti të tërë nuk është gazetari e përgjegjshme.

Një gjë është të raportosh krimin dhe të kërkosh llogari nga institucionet, tjetër gjë është të krijosh një imazh kolektiv që dëmton padrejtësisht një komunitet të tërë.

Fieri është gjithashtu qyteti i medias.

Një grup gazetarësh me përvojë shumëvjeçare janë çdo ditë pranë qytetarëve, ndjekin problematikat, denoncojnë padrejtësitë dhe nuk kursehen në kritikat ndaj institucioneve kur ato nuk përmbushin detyrimet e tyre.

Unë nuk kërkoj që Fieri të shihet përmes syzeve të një optimizmi të tepruar. Problemet ekzistojnë dhe duhen thënë hapur.

Krimi duhet luftuar, autorët duhen ndëshkuar dhe institucionet duhen mbajtur përgjegjëse.

Por nuk mund të pranoj që një qytet me historinë, traditën, kulturën dhe vlerat njerëzore të Fierit të marrë padrejtësisht një epitet që nuk i përket.

Krimi ka autorë dhe përgjegjës. Qyteti ka qytetarë, histori dhe identitet.

Të mos i ngatërrojmë këto dy gjëra!

Fieri nuk është qyteti i krimit. Fieri është qyteti i njerëzve të tij, i punës, i traditës, i kulturës dhe i bashkëjetesës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram