Zejdush KASTRATI
Ndërrimi i pushtetit në Serbi nuk nënkupton domosdoshmërisht se qeverisja e ardhshme, në raport me Kosovën, do të reflektojë qëndrime krejtësisht të ndryshme nga ato të pushtetit të deritashëm të Aleksandar Vuçiqit.
Madje, nuk përjashtohet mundësia që Serbia e ardhshme të shfaqë rezistencë edhe më të ashpër, me qëndrime sfiduese dhe momente tensioni gjatë procesit të dialogut, i cili, pavarësisht gjithçkaje, duhet të vazhdojë. Megjithatë, koha do të dëshmojë se në cilin drejtim do të orientohet Serbia.
Nga informacionet e publikuara deri më tani, një pjesë e konsiderueshme e strukturave politike që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Serbisë përfaqësohen nga personalitete akademike dhe individë me përgatitje e bagazh të lartë profesional. Por, përtej kualifikimeve dhe titujve akademikë, mbetet të shihet nëse këto struktura do të dëshmojnë demokraci, seriozitet politik dhe gatishmëri për një qasje më konstruktive.
A do të vazhdojë Serbia me nacionalizëm, retorikë shoviniste dhe deklarata kërcënuese ndaj Kosovës, sikurse në të kaluarën, apo do të kemi një ndryshim kursi, me komunikim më normal, më racional dhe më të civilizuar nga pushteti i ardhshëm? Kjo mbetet për t’u parë.
Por, një gjë është e domosdoshme: Kosova duhet ta analizojë me shumë seriozitet këtë moment politik dhe të përgatitet institucionalisht për mundësitë që mund të krijohen.
Një çështje që lidhet drejtpërdrejt me këtë zhvillim është pozicionimi politik i komunitetit serb në Kosovë.
Subjekti politik “Lista Serbe”, i cili që nga viti 2014 është dëshmuar si strukturë e varur politikisht nga Beogradi dhe si instrument i ndikimit të drejtpërdrejtë të Vuçiqit në Kosovë, mund të përballet me një realitet të ri politik. Deklarimi i “Listës së Studentëve” se nuk do të bashkëpunojë me të krijon hapësirë për një rikonfigurim të mundshëm të përfaqësimit politik serb në Kosovë.
Ky zhvillim mund të krijojë terren të përshtatshëm për veprime dhe komunikime të koordinuara me struktura e liderë të tjerë politikë serbë, të cilët kohëve të fundit kanë artikuluar qëndrime kritike ndaj qeverisjes së Vuçiqit. Disa prej tyre kanë ndërmarrë edhe iniciativa ligjore në Serbi, duke ngritur akuza për diskriminim, frikësim, keqpërdorim të fondeve dhe çështje të tjera serioze gjatë qeverisjes së deritashme.
Përtej Rashiqit, tashmë ministër në institucionet e Kosovës, ekzistojnë edhe personalitete dhe struktura të tjera politike serbe, veçanërisht nga tradita e Partisë Liberale të Kosovës, e udhëhequr dikur nga Sllobodan Petroviqi.
Është e njohur publikisht se kjo parti ka mbështetur shumë procese në interes të Kosovës, që nga periudha e pavarësisë më 2008, përfshirë edhe përfaqësimin dhe mbështetjen në takime e procese ndërkombëtare. Fatkeqësisht, ky subjekt u margjinalizua dhe u eliminua nga skena politike, në rrethana që lidhen me ndikimin e Beogradit dhe zhvillimet e atëhershme politike në Kosovë.
Riaktivizimi i kësaj partie, pse jo edhe krijimi apo fuqizimi i subjekteve të tjera me elektorat serb, do të ishte një zhvillim me rëndësi të veçantë për demokracinë dhe stabilitetin institucional të Kosovës.
Ky mund të jetë momenti i duhur për një ndryshim pozitiv të skenës politike serbe në Kosovë. Vota e këtij komuniteti ka peshë të konsiderueshme dhe, në rrethana të caktuara, mund të jetë vendimtare për marrjen e disa vendimeve të rëndësishme shtetërore në të ardhmen.
“Ka indikacione se në skenën politike serbe në Kosovë mund të ndodhin lëvizje dhe rikonfigurime të rëndësishme politike. Nëse këto zhvillime konkretizohen, ato mund të hapin një kapitull të ri të përfaqësimit politik serb, më pluralist, më demokratik dhe më të pavarur nga ndikimi i drejtpërdrejtë i Beogradit.”
Natyrisht, duhet të jemi realistë. Është e kuptueshme që një pjesë e madhe e qytetarëve serbë në Kosovë kanë lidhje emocionale, kulturore dhe kombëtare me Beogradin dhe Serbinë. Kjo është një e drejtë e tyre dhe nuk duhet të kontestohet.
Por, pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e shtetit të Kosovës: të krijojë një ambient demokratik, institucional dhe politik ku qytetarët serbë të ndihen të barabartë, të sigurt dhe të përfaqësuar, duke i bindur me fakte se të drejtat e tyre garantohen nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Kosova nuk ka kerkuar dhe nuk duhet të kërkojë nga qytetarët serbë të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar, por duhet të krijojë kushte që ata të mos jenë peng i politikave të Beogradit dhe i instrumentalizimit të tyre për interesa të huaja politike.
Natyrisht, këto procese varen edhe nga zhvillimet politike në Serbi dhe nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, por iniciativa, vizioni dhe përgjegjësia për t’i trajtuar ato duhet të jenë në radhë të parë të institucioneve të Kosovës.
Kosova duhet ta kuptojë se ndryshimi i mundshëm politik në Serbi nuk është vetëm një zhvillim që duhet vëzhguar nga distanca. Ai mund të jetë edhe një mundësi që duhet analizuar, shfrytëzuar dhe shndërruar në interes shtetëror.
Sepse, në fund të fundit, Kosova ka nevojë jo vetëm për njohjen ndërkombëtare të realitetit të saj shtetëror, por edhe për një përfaqësim politik serb që vepron në interes të qytetarëve të vet dhe të institucioneve të shtetit ku jeton.
Ky është një interes demokratik, institucional dhe strategjik i Republikës së Kosovës.

