Me rastin e Ditës së Forcës, deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe në rajon.
Ish- kryeministri Haradinaj, ka vlerësuar lart angazhimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të dëshmojnë përkushtim në mbrojtjen e vendit dhe ruajtjen e paqes.
Haradinaj ka theksuar gjithashtu se aktiviteti i dyerve të hapura të FSK-së është një mundësi e mirë për qytetarët që të njihen nga afër me punën, përgatitjen dhe sukseset e ushtarëve kosovarë.
Në fund, ai ka uruar të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe qytetarët për Ditën e Forcës, duke vlerësuar kontributin e tyre në shërbim të atdheut.

