Sunday, November 29, 2026
HomeGjeopolitikOpinion"Ditë e shenjtë" – Nëntorët e Pavarësisë

“Ditë e shenjtë” – Nëntorët e Pavarësisë

Nga festa e lirisë te kënga e ndaluar në burgun e Burrelit

Nga Ermira Xhomaqi-Godo


Në historinë e një kombi ka data të cilat nuk mbeten vetëm në kalendar. Ato jetojnë në
kujtesën e brezave, në simbolet që bashkojnë një popull, në këngët që trashëgohen si amanet prej të
parëve dhe në sakrificat e atyre të cilët, në kohë të vështira, u përpoqën të ruanin të paprekur kuptimin
e tyre dhe atdhedashurinë. I tillë është 28 Nëntori për Shqipërinë.
Nga qëndresa legjendare e Gjergj Kastriotit në Krujë, te shpallja e Pavarësisë në Vlorë, më
1912, kjo ditë mbart historinë e një populli liridashës, i cili, mes përpjekjesh e sakrificash, ka mbrojtur
gjithmonë identitetin dhe dinjitetin e tij. Për breza të tërë, ajo ka qenë më shumë se një festë: një ditë
krenarie, bashkimi dhe përkatësie. Dita kur flamuri u bë jo vetëm simbol i një aspirate shekullore për
pavarësi, por edhe kujtesë e çmimit që breza shqiptarësh kanë paguar për ta fituar e ruajtur lirinë, pa
bërë asnjë kompromis.
Një udhëtim nëpër Nëntorë, përmes fotografive dhe fateve njerëzore të përmbysura: një flamur në
duar, vargjet recituar, një mision shprese, një këngë në qeli.
28 Nëntor 1929, Korçë: Dy vëllezër, një fotografi, një shënim
Atë ditë, rrugët e sheshet e Korçës, të mbushura me flamuj kuq e zi, kumbonin nga brohoritjet. Ishte
Dita e Flamurit. Njerëzit kishin dalë për të nderuar atdheun dhe Pavarësinë. Ndoshta nga ajo festë po
vinin edhe ata dy të rinj në këtë fotografi, me krenarinë e atyre që ndiejnë se i përkasin një çasti të
madh. Janë vëllezërit Hasan dhe Abdulla Rami.

Hasan e Abdulla Rami- Kujtim i Ditës Shenjtë, 28 Nëntor 1929, Korçë

Prapa kësaj fotografie gati një shekullore, Abdullai ka shkruar me dorën e tij:
“Kujtim i Ditës Shenjtë, 28 Nëntor 1929, Korçë”
Një shënim i shkurtër, i cili na vjen sot jo vetëm si kujtim i një Nëntori të Pavarësisë, por edhe si
dëshmi e historisë dhe e kalvarit që do të përshkonin jetët e tyre, pas vendosjes së diktaturës në
Shqipëri.
Tetëmbëdhjetë vite më vonë, e njëjta datë do t’i gjente sërish të lidhur me ndjenjën e atdhedashurisë,
por në një botë krejt tjetër: Ditën e Flamurit, ata do ta festonin pas hekurave të burgut, në qeli. Të
diplomuar në universitetet europiane dhe me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata u
goditën në kulmin e shkëlqimit të tyre dhe u dënuan padrejtësisht.
Gjithçka nisi në bankat e Liceut Francez të Korçës, ku ndanin asokohe të njëjtin mjedis shkollor me
Enver Hoxhën, i cili i përmend edhe në librin e tij “Vitet e rinisë”. Ironia e hidhur e fatit të tyre
qëndron pikërisht në këtë njohje të hershme: njeriu me të cilin ishin njohur në bankat e liceut do të bëhej më vonë diktatori, nën regjimin e të cilit ata do të burgoseshin e internoheshin, si kundërshtarë
politikë.

Në Liceun Francez të Korçës, Nëntor 1929-Midis tyre Myslim Çarçani, Enver Hoxha, Feim Çarçani, Petraq Progri, Sabiha Kasimati, Nedin Kokona

Midis tyre Myslim Çarçani, Enver Hoxha, Feim Çarçani, Petraq Progri, Sabiha Kasimati, Nedin Kokona
Dhe sigurisht, historia e tyre nuk qëndron e vetme në këtë kujtesë të trishtë. Ajo kryqëzohet me fatet e shumë intelektualëve të tjerë, ish-liceistë të Korçës, njerëz të dijes e të kulturës, energjitë krijuese të të cilëve u mbytën me një lehtësi kriminale nga “fitimtarët” e diktaturës. Sa të rinj ishin atëherë! Askush prej tyre nuk mund ta përfytyronte se një kufi i pakapërcyeshëm do t’i ndante vite më vonë: liria për disa, burgu, internimi apo eliminimi për të tjerët.
I referohem këtu historisë së Abaz Omarit, Sabiha Kasimatit, Enver Zazanit, Foto Balës, Nezir
Muzhaqit, Salim Kokalarit, Prenk Kaçinarit, Hilmi Hysit, Eqerem Hados, Adem Belit, Myslim
Çarçanit, Enver Hados, e të tjerë. Ata ishin pjesë e asaj elite të re shqiptare që u formua në vitet ’20-
’30 të shekullit të XX-të, një kohë shpresash të mëdha, por edhe përmbysjesh tronditëse.
Secili prej tyre mbart një histori të vetën, por të gjithë mbeten pjesë e një kujtese të përbashkët: fati i
shumë prej tyre do të ishte tragjik.

28 Nëntor 1939, Krujë: Vargjet që sfiduan pushtuesin


Dhjetë vjet pas fotografisë së Korçës, Hasan Rami, asokohe drejtor shkolle në Krujë, kishte përgatitur
një nxënës të recitonte, në ceremoninë e festës së Pavarësisë, një pjesë nga përshkrimi i Fan Nolit për
kthimin e Gjergj Kastriotit në Krujë.
“Kur të thuash vargjet: “Deri kur do të valëvitet mbi kështjellën e Krujës ai flamur i urryer i tiranit të
huaj?”, do ta tregosh me dorë flamurin italian dhe do ta ngresh zërin fort, shumë fort!” – e kishte
porositur ai nxënësin e tij.

Mesazhi ishte i qartë. Ky nuk ishte thjesht një recitim festiv. Historia e Skënderbeut vinte për të thënë
një të vërtetë të hidhur: Shqipëria ishte nën pushtimin fashist.
Recitimi emocionoi mbarë qytetarët e Krujës, por nuk kaloi pa reagimin e kolonelit italian, i cili iu
drejtua Hasanit:
– Zoti drejtor, kjo ceremoni shkollore ka karakter nacionalist dhe është më tepër një fjalim politik sesa
një manifestim shkollor!
– Po, zoti kolonel! – iu përgjigj ai. – Kjo është një e vërtetë historike e dhimbshme, e cila po përsëritet
pas pesëqind vjetësh.
Pas kësaj ngjarjeje, Hasan Rami u shkarkua menjëherë nga detyra si drejtor, me motivacionin:
“Antifashist”
Këtë histori na e rrëfente me mall e pasion Papa, siç e quanim ne të rinjtë, xha Hasanin. Atëherë na
dukej thjesht një rrëfim i bukur; vetëm më vonë e kuptuam se ishte amaneti i tij: edhe nën pushtimin e
huaj, nderimi për flamurin dhe kujtesa kombëtare mund të bëheshin akte qëndrese dhe atdhetarie.
Pas vendosjes së regjimit komunist, Hasan Rami u arrestua e u dënua si “armik i popullit” dhe vuajti
dhjetë vjet, fillimisht në burgun e Shkodrës e më pas në Burrel. Pas lirimit, ndërroi jetë në internim.

28 Nëntor 1942, Gjilan, Kosovë: Flamuri në tokën e vëllezërve


Atë ditë nëntori, Abdullai ishte sërish pjesë e kremtimit të Festës së Pavarësisë, këtë herë në
Kosovë, në Gjilan, ku ushtronte detyrën e Gjyqtarit Paqtues të Klasit të Parë, së bashku me kolegët e
tij: Esat Berisha, Thoma Jani, Hasan Kryeziu dhe Zeqir Armi.
Me mendjen dhe shpresën e idealistit, ai e shihte këtë mision si një prolog të aktit të madh të bashkimit
përfundimtar të trojeve shqiptare. Ndaj iu përkushtua mbrojtjes së së drejtës legjitime të popullit
shqiptar në Kosovë dhe shqiptarizimit të institucionit juridik të Gjilanit, të dominuar asokohe nga
elementë serbë dhe prosllavë. Dokumentet e kohës, të ruajtura në Arkivin Shtetëror të Kosovës në
Prishtinë, dëshmojnë se, në cilësinë e Gjyqtarit Paqtues, ai ndërmori rishqyrtimin e çështjeve
gjyqësore të shumë shqiptarëve të atyre trojeve, të burgosur padrejtësisht nga juridiksioni serb, duke
shpallur pafajësinë dhe duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Abdulla Rami në kremtimin e Ditës së Pavarësisë -Gjilan, Kosovë, 28 Nëntor 1942

Fotografia e ruajtur nga kremtimi i Festës së Flamurit në Gjilan e shfaq atë në një tjetër
moment të jetës së tij: larg vendlindjes, por sërish i pranishëm në Ditën e Pavarësisë, e cila edhe në
Kosovë mbartte të njëjtën domethënie kombëtare dhe atdhedashuri.
Përfytyroj atë ditë nëntori, me diell të ftohtë dhe një shesh të mbushur plot me njerëz. Një
djalosh i ri reciton përpara tryezës ku ishin ulur të nderuarit. Zemra i rreh fort; vargjet i ka mësuar
mirë, ndoshta i ka përsëritur me zë të ulët, që të mos e dëgjojë njeri. Por kur e ngre zërin, sheshi hesht
dhe e dëgjon. Ai reciton për mëmëdheun, për Kosovën, për Shqipërinë.
Tri vite më parë, në Krujë, një djalosh tjetër e kishte ngritur zërin, siç e kishte porositur Hasani
“fort, shumë fort!”. Dy djem, dy qytete, një Nëntor, një Flamur. Mes të nderuarve që dëgjonin ishte
edhe Abdullai, i cili, ndoshta atë ditë, po mendonte për historinë e Krujës dhe vëllain e tij.
Pas rreth dy vjetësh në Kosovë, Abdulla Rami u kthye në skajin jugor të Shqipërisë, ku së
bashku me Hasanin mbështetën Konferencën e Mukjes, në emër të idealit të bashkimit
mbarëkombëtar, për një Shqipëri të lirë dhe etnike. Ata ishin ndër përfaqësuesit më të spikatur të
organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshtuan hapur përhapjen e ideve
komuniste në Shqipëri..

Hamit Rami, Abdulla Rami, Fejzo Hoxha dhe Hasan Rami -Tiranë 1943

Pikërisht në këtë histori përmbysjeje të fateve njerëzore, Nëntori i vitit 1947 shënon një nga episodet
më tronditëse në kremtimin e Festës së Pavarësisë.

28 nëntor 1947, Burrel: Kënga e ndaluar mbi muret e ferrit
Tetëmbëdhjetë vjet pas fotografisë së Korçës.
Ai Nëntor i gjeti vëllezërit Rami pas hekurave: Hasanin në burgun e Shkodrës ndërsa
Abdullain në atë të Burrelit, ku do të vuante tëtëmbëdhjetë vjet në qeli.

  • Burreli ishte ferri vetë, – rrëfente xha Avniu, i cili vuajti atje dhjetë vjet bashkë me Abdullain.
    “Nuk dinim nëse do të dilnim të gjallë nga andej apo jo. Dhe si për të na e kujtuar këtë, gardianët
    kishin shkruar me shkronja të mëdha mbi murin e oborrit të burgut:
    “Burgu i Burrelit – Kampi i shfarosjes së armiqve të popullit.”
    Pikërisht në atë oborr, më 28 Nëntor, të burgosurit kishin dalë në orën e ajrimit dhe mbushnin ujë në
    pusin e turbullt. Ishte Festa e Flamurit, dita më e shënuar e shqiptarëve. Edhe brenda atyre mureve, ata
    burra vendosën ta kremtonin të gjithë bashkë Ditën e Pavarësisë. Jo me ceremoni, jo me fjalime, jo me
    flamuj e poezi, por me këngë për mëmëdheun.
    Më shumë se pesëqind zëra burrash shpërthyen njëherësh në oborrin e burgut. Këndonin për flamurin,
    për Kosovën, për Shqipërinë, për Çamërinë.
    U tronditën muret e Burrelit. Policia dhe gardianët ngritën alarmin. Me automatikë në duar dhe duke i
    rënë bilbilave, bërtisnin:

-Ndaloni këngën! Kthehuni në qeli!
Drejtori i burgut, i rrethuar nga gardianët, filloi t’i pyeste të burgosurit një nga një:
– Kush e filloi këngën? Kush ia mori këngës?
Përgjigjjia erdhi njëzëri:
– Të gjithë bashkë, të gjithë bashkë ia morëm këngës, kënduam të gjithë!
Atëherë gardianët morën rreth tridhjetë të burgosur, ndër më të spikaturit. Mes tyre edhe Ibrahim
Biçakçiu, Abdulla Rami, Sabaudin Resuli, Abdyl Binaku, Qemal Vrioni, Gjergj Kokoshi e të tjerë. I
urdhëruan të hiqnin këpucët, çorapet, xhaketat, dhe i flakën në birucat e mbushura me ujë të akullt. I
lanë aty me orë të tëra, në të ftohtin që depërtonte nën lëkurë e deri në palcë. Sikur të mos mjaftonte
robëria e trupit, donin t’ua thyenin edhe shpirtin.

Kori i skllevërve nga opera Nabucco e Verdit -Këndon për atdheun e humbur dhe aspiratën për liri

Kështu u shënua 28 Nëntori në burgun e Burrelit. Kënga për Shqipërinë, ky akt qëndrese, u shpagua
me tortura e ndëshkim. Abdullai i mbijetoi atij ferri, por shumë të tjerë nuk i përballuan dot torturat
dhe vitet e gjata të burgimit. Kostaq (Koço) Kota, Qemal Vrioni, Atif Golja, Gjergj Kokoshi, Et’hem
Haxhiademi, Jup e Seit Kazazi, Estref Myftiu, Xhevat Korça, Arqile Tasi, Mihal Ballkameni e të tjerë
u shuan atje një nga një dhe trupat e tyre u groposën pranë qershizës, në dalje të burgut.
Në kujtim të tyre, Abdullai shkroi atëherë këto vargje të cilat, edhe sot vazhdojnë të dëshmojnë, të
lotojnë, të kujtojnë… Nëna ime i kishte ruajtur prej vitesh dorëshkrimet e gjyshit, mes të cilave ishte
edhe kjo poezi:
Qershiza loton
Qëndresa e tyre heroike
U gdhend aty në muret e qelive pa dritë
U goditën me shkopinj, dru e çizme
U rrahën, u vranë më keq se bagëtitë…

Pushuan mendjet e arta
Nuk trokasin më zemërzjarrtët,
Gojtarët, dijetarët, predikonjësit me shumë vlerë
U shuan aty për gjith’herë.
Qershiza e Burrelit ferr, u bë shtëpi-varr
Për qindra e qindra mëmëdhetarë
Sa nëna, gra, motra pritën në rrënjët e saj
E lotë të nxehtë derdhën, lotë që kurrë s’u thanë.
Dhe ndërsa burgjet mbusheshin me kundërshtarët e regjimit, Shqipëria e asaj kohe shfaqej në
arenën ndërkombëtare si një vend i cili “vazhdonte rrugën e pandalur drejt fitoreve të reja”. Më 14
dhjetor 1955, ajo u pranua anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila kishte në themel të
misionit të saj mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, si shtylla të demokracisë. Asambleja e
saj e Përgjithshme kishte miratuar, shtatë vjet më parë, më 10 dhjetor 1948, në Paris, Deklaratën
Universale të të Drejtave të Njeriut. Neni 5 i kësaj Deklarate përcaktonte shprehimisht: “Askush nuk
duhet t’i nënshtrohet torturës, veprimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.” Një kontrast i
thellë mes idealeve të shpallura nga bota e lirë dhe realitetit të një regjimi totalitar.

Por ç’kuptim kishte kjo anëtarësi, kur brenda kufijve të Shqipërisë këto të drejta shkeleshin
sistematikisht?

Ndaj, pikërisht në këtë kundërthënie historike merr kuptim edhe ky shkrim-homazh për Ditën e
Shenjtë të Pavarësisë dhe, përmes saj, për një brez të sakrifikuar e qëndrestar, i cili, edhe në vitet më të
errëta, nuk e braktisi ëndrrën për lirinë. Ata nuk e pranuan kurrë robërinë.
Këtë të vërtetë e përmbledh më së miri edhe shënimi i lënë pas fotografisë së 28 Nëntorit 1929:
“Kujtim i Ditës Shenjtë”. Të shkruara në liri, këto fjalë do t’u mbijetonin burgjeve, torturave,
pushkatimeve e internimeve. Një amanet, të cilin koha nuk e zbehu dhe as e zhbëri dot, por i dha më
shumë dritë. Abdullai ndërroi jetë më 29 janar 1973, në internim, pa e parë ditën e lirisë, por la pas
dorëshkrimet, kujtimin dhe veprën e tij. Më 1996, shteti shqiptar e nderoi me titullin «Martir i
Demokracisë”.
Dhe kjo është sfida më fisnike dhe më madhështore e kujtesës ndaj tiranisë. Sepse diktatura mund t’i
burgosë e t’i ekzekutojë kundërshtarët, mund t’ua ndalojë këngën dhe t’i ndëshkojë qëndrestarët,
mund t’ua vrasë ëndrrat dhe t’ia përmbysë të ardhmen rinisë, por nuk mundet kurrsesi ta shuajë
ndjenjën e atdhedashurisë. As muret e qelive, as telat me gjemba, as torturat, as dhuna nuk mundën
t’ia rrëmbenin 28 Nëntorit kuptimin e tij të shenjtë dhe vendin e përjetshëm në Kujtesën tonë
Kombëtare, për ne të gjithë.
Gëzuar 28 Nëntorin e Pavarësisë, Shqipëri!

Paris, Nëntor 2026

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram