Xhovan Shyti
Në seancën plenare kuvendare të së enjtes, deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, propozoi uljen me 20% të shpenzimeve operative në buxhetin e vitit 2027, duke kërkuar që kursimi të nisë nga vetë deputetët, përmes heqjes dorë nga dietat, përfitimet telefonike etj., ekstra.
Në mbështetje të propozimit deputeti Leskaj solli dy argumente, së pari, faktin që shpenzimet përfituese plus nga deputetët janë të tepërta dhe, së dyti, se institucioni duhet të reflektojë një filozofi të re në përdorimin e fondeve publike.
Sepse me filozofinë e vjetër, të derisotme, rrota e mullirit të votave parlamentare ka prodhuar drithë vetëm në favor të 140 deputetëve. Të cilët në unanimitet të plotë, pa asnjë ndarje krahësh politikë, kanë rënë dakord të gëzojnë të gjitha privilegjet që z. Leskaj përmendi në propozimin e tij për shkurtimin e përfitimeve ekstra pagës bazë mujore prej rreth 310.000 lekësh (rreth 225.000 lekë neto).
Përveç kësaj pagese bazë, citon “AI Overview” të ardhurat dhe përfitimet mujore të deputetëve shqiptarë rriten ndjeshëm nga shtesat dhe rimbursimet. Duke bërë që totali mujor për deputetë aktivë të arrijë shpesh në 450.000–600.000 lekë (apo edhe më shumë në raste me dieta të larta).
Dhe kush janë këto përfitime shtesë? Po përmendim ato më kryesoret: shtesat për poste drejtuese (për kryetarë komisionesh ose grupesh parlamentare), ku përfitimi varion nga 5–15% mbi pagën bazë.
Përfitimi për dieta udhëtimesh brenda vendit: deri në 170.000–190.000 lekë në muaj (ose më shumë sipas aktivitetit, publikon “AI Overview”). Përfitimet për karburant e qira banese (për deputetët pa banesë në Tiranë). Për karburant deputetët përfitojnë rreth 30.000–40.000 lekë në muaj, për qira banese përfitojnë rreth 35.000–40.000 lekë në muaj (pa llogaritur përfitimin e kredisë pa përqindje interesi për blerje banese). Po ashtu deputetët përfitojnë rreth 17.000–20.000 lekë në muaj për telefon dhe deri në 30.000 lekë honorare për pjesëmarrje në komisione.
Shifrat flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment. Ato janë të bollshme për ta përkufizuar Kuvendin si Eldorado të pasurimit të deputetëve. Të cilët, ndërsa për miratimin e ligjeve, me interes publik, nuk dakordësohen, për atë me Nr. 8550, datë 18.11.1999, “Për statusin e deputetit” (të ndryshuar ndër vite), votojnë në unanimitet. Sepse Nr. 8550 është ligji kryesor që rregullon të drejtat, pagën, trajtimin financiar dhe privilegjet e deputetëve. Të ardhurat e përfituara të të cilëve dalin jo nga shpella e “Ali Babës”, por nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, të cilët, falë ligjeve të prodhuara ndër vite nga kuvendarët, mjerisht rreshtohen ndër më të varfrit e Europës.
“Propozimi im konsiston në atë që ne, të dashur deputetë, ka ardhur koha ta shikojmë më thellë buxhetin, në një frymë të re, në një filozofi të re. Ashtu si ne debatojmë dhe propozojmë për të ardhurat, kemi përgjegjësi edhe për shpenzimet, jo vetëm në tërësinë e buxhetit, por edhe për shpenzimet operative. Pikërisht këtu vjen propozimi im, që ne të marrim masa në buxhetin 2027 duke reflektuar për uljen me 20% të shpenzimeve operative. Ulja të shtrihet edhe në investime, riinvestime, riparime zyrash, shpenzime luksi e të tjera, artikuloi deputeti Leskaj, sipas të cilit nga “shpenzimet e luksit” të institucioneve, kursehen 20% e shpenzime operative.
“Nderi ynë është të heqim dorë nga këto dieta, që kushdo prej nesh në këto vite i ka përfituar në mënyrë jo të merituar”, përkufizoi deputeti Leskaj, propozuesi i miratimit të një amendamenti për uljen me 20% të shpenzimeve operative. I hedhur në votim propozimi i deputetit Leskaj nuk mori miratim. Në votim, 75 deputetë u shprehën kundër, ndërsa vetëm 17 votuan pro. Jo i papritshëm ky rezultat, që në rast votimi në favor do të shmangte qenien e Kuvendit “Eldorado” për pasurimin e deputetëve me paret e buxhetit të votuesve./ CNA

