Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur sot një pankartë pranë hyrjes së Prokurorisë së Shtetit me mbishkrimin: “Prokurori i Shtetit i kapur nga VV”.
Kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, në një deklaratë për media, tha se zhvillimet e fundit në KPK përbëjnë një sulm ndaj pavarësisë së institucioneve.
“Qysh e dini, javën e kaluar ka ndodhur një prej zhvillimeve më të rëndësishme në drejtimin krejtësisht të gabuar sipas leximit tonë politik, ajo është kapja e Këshillit Prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi ai.
Sipas PSD-së, Vetëvendosje e ka influencuar këtë organ në mënyrë të vazhdueshme.
“Sa herë që e dëgjoni një zyrtar të Vetëvendosjes apo atë që është në pushtet nga Vetëvendosje duke e uruar një proces në sektorë të pavarur të kësaj shoqërie apo shteti, aty është e qartë sepse Lëvizja Vetëvendosje e ka kapur atë”, theksoi Molliqaj.
Molliqaj foli edhe për dy arsye kryesore pse KPK është i rëndësishëm.
“E para: Organizon procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit… E dyta: Rekrutimi i kryeprokurorëve, i cili është po ashtu gjë shumë e rëndësishme”, tha ai.
Ai rikujtoi se Kosova është pa kryeprokuror që katër vjet.
“Siç edhe e dini, që katër vite Kosova është pa kryeprokuror për herë të parë në historinë e këtij institucioni”, theksoi ai.
Molliqaj paralajmëroi se kapja politike e institucioneve ka pasoja të rënda dhe po përhapet në sektorë të ndryshëm.
Molliqaj tha se zgjedhja e presidentit sipas linjës së Vetëvendosjes do t’i japë pushtet të plotë kësaj partie.
“Arsyeja kryesore pse Albin Kurti e don presidentin e vet është me zgjedh kryeprokurorin për shtatë vite”, tha ai.
Duke apeluar për reagim qytetar dhe institucional, Molliqaj u bëri thirrje të gjithëve që janë të interesuar për një shtet demokratik, funksional, organe të pavarura, të reagojnë me kohë dhe të kundërshtojnë e parandalojnë një kapje të tillë.

