Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e festës së Fitër Bajramit 2026.
Në mesazhin e tij të gjatë urues, myftiu Tërnava theksoi rëndësinë shpirtërore dhe morale të muajit të Ramazanit, duke kujtuar se agjërimi dhe lutjet i ndihmojnë besimtarët të pastrojnë zemrën, të forcojnë lidhjen me Zotin dhe të kultivojnë solidaritetin ndaj të tjerëve.
Ai theksoi se Fitër Bajrami nuk është vetëm festë gëzimi, por edhe manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore, duke nxjerrë në pah rëndësinë e faljes, dashurisë dhe përgjegjësisë morale ndaj shoqërisë. Myftiu Tërnava gjithashtu inkurajoi ndihmën dhe kujdesin ndaj të varfërve, jetimëve, të moshuarve dhe të sëmurëve, duke e cilësuar humanizmin si një detyrim shpirtëror që duhet të shoqërojë jetën e përditshme.
Në urimin e tij, ai përfshiu edhe një mesazh global, duke lutur që Zoti të sjellë paqe dhe mirëkuptim në botë, dhe duke rikujtuar rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe të moralshme.
“Le të jetë kjo festë një burim gëzimi, paqeje dhe shprese për të gjithë ju dhe familjet tuaja. Një urim i veçantë shkon për bashkatdhetarët tanë në mërgatë, të cilët, edhe pse larg atdheut, mbeten të lidhur fort me fenë, traditën dhe identitetin e tyre”, tha myftiu Tërnava.
Ai përfundoi urimin me fjalët: “Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e pranoftë agjërimin, lutjet dhe sakrificat tona! Zoti ju dhëntë paqe, begati dhe mirësi në familjet tuaja!”.

