Kanë filluar punimet për restaurimin dhe konservimin e Shtëpisë-Shkollë të familjes Hertica, një projekt me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për kryeqytetin.
Për këtë ka njoftuar drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, e cila e konsideron këtë ndërmarrje një hap thelbësor për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe historisë së rezistencës përmes arsimit në Kosovë.
Ajo tha se ky projekt tejkalon dimensionin e një objekti fizik, duke u bërë një muze dokumentues, që nuk ofron thjesht rikthim në të kaluarën, por shërben si një dëshmi e gjallë për guximin dhe sakrificën e atyre që mbajtën gjallë arsimin shqip në periudha kur ai ishte i ndaluar.
“Në një kohë kur arsimi në Kosovë ishte i ndaluar dhe i rrezikuar, sistemi paralel i arsimit u shndërrua në një akt të fuqishëm rezistence qytetare. Shtëpitë-shkolla, si kjo e familjes Hertica, nuk ishin vetëm hapësira mësimi, por institucione të heshtura të lirisë, ku dija ruhej dhe transmetohej si formë mbijetese dhe dinjiteti”, ka shkruar Halimi.
Tutje theksoi se ky muze nuk është thjesht një rikthim në të kaluarën, por një rrëfim i gjallë për guximin dhe sakrificën. Ai dëshmon për njerëzit që, në rrethana të jashtëzakonshme, e kuptuan se arsimi nuk është vetëm proces mësimor, por një akt politik, shoqëror dhe ekzistencial, një mënyrë për të mbrojtur identitetin dhe për të ndërtuar të ardhmen.
“Kryeqyteti ynë bart vlera unike shoqërore dhe historike, të cilat duhet të artikulohen dhe të ndahen gjerësisht, duke e vendosur kujtesën në funksion të së ardhmes. Sepse aty ku dija mbrohet edhe në kushte të pamundura, aty fillon liria”, ka thënë Halimi.

