Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, hodhi poshtë të premten pretendimet e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se administrata e Donald Trump po i kërkon Kievit t’ia dorëzojë rajonin lindor të Donbasit Rusisë në mënyrë që të marrë garanci sigurie nga SHBA-ja si pjesë e çdo plani armëpushimi.
Duke folur me gazetarët pas takimit të grupit G7 në Francë, Rubio kundërshtoi deklaratat e fundit të Zelensky dhe tha se SHBA-të nuk vendosën një kusht të tillë në bisedimet me Ukrainën.
“Kjo është gënjeshtër. Dhe e pashë ta thoshte këtë. Është për të ardhur keq që e tha këtë, sepse e di që nuk është e vërtetë dhe nuk i është thënë kështu”, tha Rubio.
Në një intervistë të botuar këtë javë, Zelensky i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kushtëzojnë ofertën e tyre për garanci sigurie për Ukrainën me heqjen dorë nga Donbasi, zemra industriale e vendit që është pretenduar prej kohësh nga Presidenti rus Vladimir Putin. Forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të atij rajoni, por nuk kanë pushtuar një rrip të ngushtë territori që është ndër pjesët më të fortifikuara të vijës së frontit.
Zelenski tha se, duke pasur parasysh që SHBA-të janë të përqendruara në luftën kundër Iranit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump po përpiqet t’i afrohet përfundimit të konfliktit në Ukrainë.
“Amerikanët janë të gatshëm t’i finalizojnë këto garanci në një nivel të lartë sapo Ukraina të jetë gati të tërhiqet nga Donbasi”, tha Zelensky për Reuters.
Rubio hodhi poshtë pretendimet e Zelensky-t dhe theksoi se SHBA-të vetëm ia përcollën kërkesat e Rusisë palës ukrainase. Ai shtoi se garancitë e sigurisë mund të vinin vetëm pas përfundimit të luftimeve dhe se Uashingtoni do të vazhdonte të shtynte përpara përpjekjet drejt një marrëveshjeje paqeje.
“Ne ia përcollëm palës ukrainase atë që kërkojnë rusët”, tha ai. “Ne nuk po e mbështesim këtë. Ne ua kemi shpjeguar atyre. Varet prej tyre të vendosin. Nuk varet nga ne të vendosim për ta. Nuk u kemi thënë kurrë se duhet ta pranojnë ose ta refuzojnë. Roli ynë është të përpiqemi të kuptojmë se çfarë duan të dyja palët dhe të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje të mesme.”
Zyra e presidentit ukrainas nuk pranoi të komentojë mbi mosmarrëveshjen.
Putini po kërkon që Kievi të heqë dorë nga kontrolli i të gjithë Donbasit, gjë që analistët besojnë se do t’i siguronte përgjithmonë Rusisë një trampolinë për të kërcënuar pjesë të tjera të Ukrainës.
Rubio deklaroi se javën e kaluar në Florida u zhvilluan bisedime midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, por se për momentin nuk janë planifikuar takime të reja. Ai tha gjithashtu se asnjë armë amerikane e destinuar për Ukrainën nuk është tërhequr ende dhe ridrejtuar në Lindjen e Mesme, por se kjo mund të ndodhë nëse shihet e nevojshme.
“Nëse diçka i duhet Amerikës dhe është amerikane, ne do ta mbajmë atë për Amerikën së pari,” tha Rubio. “Por deri më tani, kjo nuk ka ndodhur.”
Associated Press raportoi më parë se raketat amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot janë zhvendosur nga Evropa në Lindjen e Mesme, ndërsa Uashingtoni po i drejton burimet në luftën kundër Iranit. Zelensky paralajmëroi se Kievi “me siguri” do të përballet me një mungesë të sistemit Patriot për shkak të luftës kundër Iranit.

