Policia e Kosovës ka dalë me njoftimin e fundit rreth masave që ka ndërmarrë për të garantuar rend dhe siguri gjatë kohës sa zhvillohet ndeshja mes Kosovës e Turqisë në stadiumin, “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kanë treguar se do të ketë prani të shtuar policore e gjithashtu do të ketë edhe bllokim të përkohshëm të rrugëve.
Policia thotë se duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të kësaj ndeshjeje, janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe organizatorët.
“Do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”: Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të ketë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforët kryesorë, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimi nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit)”, thuhet në njoftimin e fundit të Policisë së Kosovës
Ata kanë treguar gjithashtu se kanë kufizime edhe rrugë të tjera në perimetrin rreth stadiumit, rruga “Luan Haradinaj” (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rruga “Fehmi Agani”.
Policia thotë se këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit ne trafikun rrugor.
Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarët që respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren, të përdorin rrugë alternative kur është e mundur e të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Siguria dhe mbarëvajtja e kësaj ngjarje sportive është përgjegjësi e përbashkët. Ftojmë qytetarët për mbështetje dhe respektim të rendit publik”, thuhet në thirrjen e Policisë së Kosovës.

