Egnatia ka shënuar fitore në Ligën e Konferencës, duke e mposhtur me rezultat 2:1 skuadrën e Lincoln Red Imps në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Skuadra shqiptare e ka dominuar pjesën më të madhe të ndeshjes, por është dashur të luftojë deri në fund për t’i siguruar tri pikët.
Egnatia e ka nisur ndeshjen më mirë, duke krijuar disa raste për shënim. Megjithatë, pavarësisht rasteve të shumta, pjesa e parë është mbyllur pa gola. Në minutën e dyzet e dytë, Guillem Jaime e ka goditur shtyllën, por rezultati ka mbetur 0:0.
Vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Egnatia ka kaluar në epërsi. Alessandro Albanese ka shënuar nga afërsia, pas një asistimi të Fernando Medeiros.
Lincoln e ka barazuar rezultatin pak më shumë se dhjetë minuta para fundit. Yussef Flalhi Idrissi ka realizuar me një goditje të saktë nga jashtë zonës.
Megjithatë, festa e skuadrës nga Gjibraltari ka zgjatur vetëm dy minuta. Në minutën e tetëdhjetë e një, Fernando Medeiros e ka shënuar golin e fitores për Egnatian, pas pasimit të Numan Ajetovikj.
Me këtë fitore, Egnatia është ngjitur në zonën e “play off” në Ligën e Konferencës, ndërsa Lincoln Red Imps renditet në vendin e njëzet e shtatë, pas humbjes së tretë në katër ndeshjet e zhvilluara në fazën e ligës.

