Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, ka vlerësuar formimin e komisionit ad-hoc nga Kuvendi i Kosovës për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së si një zhvillim inkurajues për institucionin.
Sipas tij, ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të Bordit dhe forcimit të mëtejmë të menaxhimit të RTK-së, duke krijuar një bazë më të fortë për vendimmarrje strategjike dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Hundozi ka theksuar se RTK-në e pret një punë e madhe për të adresuar çështje thelbësore, si sigurimi i financimit të qëndrueshëm, zgjidhja e çështjes së pronës, avancimi teknologjik, përmirësimi i kushteve të punës për stafin, forcimi i kapaciteteve profesionale, rritja e cilësisë së përmbajtjes dhe thellimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka shtuar se RTK mbetet e përkushtuar që, përmes një menaxhmenti dhe bordi të plotë dhe funksional, të vazhdojë forcimin e rolit si transmetues publik i besueshëm në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

