Qeveria e Kosova ka miratuar në mbledhjen e sotme Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës, i cili synon përmirësimin dhe modernizimin e kornizës ligjore në këtë fushë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se projektligji ka për qëllim rritjen e efikasitetit, transparencës dhe sigurisë juridike në trajtimin e çështjeve të shtetësisë.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë prezantimit të projektligjit theksoi se kjo nismë do të sjellë lehtësime të konsiderueshme për diasporën.
“Kjo është një iniciativë strategjike për të afruar legjislacionin tonë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Me këtë projektligj realizojmë edhe premtimin për lehtësimin maksimal të rikthimit të shtetësisë për bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga ajo për shkak të kufizimeve në shtetet ku jetojnë”, tha Sveçla.
Ai shtoi se ligji i ri synon të krijojë një kornizë më të qartë dhe të qasshme për qytetarët, duke ofruar një qasje të strukturuar për marrjen e shtetësisë në përputhje me interesat kombëtare dhe të sigurisë.
Projektligji është miratuar nga Qeveria pa asnjë kundërshtim.

