Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, se Ankaraja nuk i miraton sulmet ndaj Iranit, por as nuk i mbështet veprimet hakmarrëse të Iranit kundër vendeve në rajon. Sipas burimeve diplomatike turke, të dy udhëheqësit diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe globale, shkruan Anadolu.
Gjatë bisedës, Erdogan paralajmëroi se sulmet ndaj anijeve civile në Detin e Zi dëmtojnë stabilitetin rajonal. Ai theksoi se konflikti në Lindjen e Mesme nuk duhet të shndërrohet në një pikë të re përshkallëzimi në krizën midis Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti turk theksoi gjithashtu se politikat agresive të qeverisë izraelite nën udhëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu duhet të parandalohen. Ai tha se nuk duhen lejuar lëvizje që dëmtojnë statusin e Jerusalemit.

