Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se ka hyrë në fuqi vendimi për rregullimin e marzhës së lejuar për shitjen e derivateve të naftës në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë vendimi është nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila dhe ka hyrë në fuqi të shtunën, më 04.04.2026.
“Ky vendim ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor, pas monitorimeve të vazhdueshme të tregut të naftës, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave aktuale të paraqitura nga institucionet, nafta ka hyrë në doganë me çmim prej 1.77 euro për litër, ndërsa mund të shitet deri në 1.91 euro për litër. Ndërkaq, benzina ka hyrë me çmim 1.30 euro për litër dhe arrin çmimin e shitjes deri në 1.44 euro për litër në tregun vendor.
Me këtë vendim, është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar, ku shitja me shumicë lejohet deri në 2 eurocent për litër, ndërsa shitja me pakicë deri në 12 eurocent për litër.
Vendimi parashikon mbikëqyrje të shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës.
Ministria po ashtu ka bërë të ditur se inspektorët janë në terren dhe do të monitorojnë zbatimin e këtij vendimi.
MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë vendimin për përcaktimin e marzhës së lejuar, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimit të drejtë të tregut. Po ashtu, është paralajmëruar se të gjithë ata që e shkelin këtë vendim do të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë edhe në mënyrë retroaktive.

