Më shumë se 196 milionë mallra të falsifikuara u sekuestruan në Bashkimin Evropian në vitin 2025, shuma më e lartë ndonjëherë. Kjo është 67 për qind më shumë se një vit më parë, sipas një raporti nga Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Evropian (EUIPO) me seli në Alicante të Spanjës.
Vlera e vlerësuar e mallrave të sekuestruara është gjithashtu një rekord, duke arritur në 6.3 miliardë euro. Për krahasim, në vitin 2024, i cili mbante rekordin deri atëherë, u sekuestruan mallra me vlerë 3.9 miliardë euro. Ndër mallrat e sekuestruara, shumica janë CD dhe DVD, programe kompjuterike, lodra, etiketa dhe afishe. Cigaret dhe veshjet gjithashtu përbëjnë një pjesë të madhe.
Numri më i madh i mallrave të falsifikuara vjen nga Kina, më shumë se 40 përqind, ndërsa Turqia vjen e dyta me 18 përqind. Rritja e madhe e sekuestrimeve i atribuohet luftës së intensifikuar kundër grupeve të kontrabandës dhe kontrolleve më të shpeshta dhe të suksesshme.
Blerjet online e bëjnë më të vështirë luftimin e falsifikimit
EUIPO paralajmëron se lufta kundër falsifikimit bëhet më e vështirë nga numri në rritje i rrugëve të ndryshme përmes të cilave transportohen mallrat, si dhe nga kapacitetet e kufizuara të shërbimeve kompetente.
Një problem shtesë është rritja e tregtisë online, pasi mallrat po dërgohen gjithnjë e më shumë me postë dhe përmes kompanive të shumta të shpërndarjes, duke e bërë më të vështirë kontrollin e saj.
Raporti arrin në përfundimin se nevojiten masa të reja, bashkëpunim më i mirë midis shërbimeve kompetente dhe mjete e teknologji më moderne për të mbrojtur më mirë pronën intelektuale dhe ekonominë evropiane.

