Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohet procesi i intervistimit për kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sipas tij, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka vendosur që të martën dhe të mërkurën të intervistohen gjithsej 23 kandidatë për këtë institucion të rëndësishëm.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka theksuar se ky proces është tejet i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në vend, duke pasur parasysh rolin kyç që ka Këshilli Gjyqësor në garantimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se përzgjedhja e anëtarëve të këtij institucioni duhet të bëhet me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i drejtë dhe i pavarur i sistemit gjyqësor.

