Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti sa i përket ekspozitës për masakrën e Dubravës tha se disa prej gabimeve të evidentuara në atë ekspozitë kanë të bëjnë me fshatin e tij, rrjedhimisht me familjarët e tij të vrarë, ndërsa disa të tjera lidhen me Dubravën dhe, rrjedhimisht, me babanë e tij.
“Tendenca për të krijuar narrativë që dikush po don me i mbrojtë këto ose me e mbrojtë babanë tim nga unë është e papranueshme, është banale”, tha Hoti.
Tutje ai u shpreh se në fushëveprimtarinë e tij përfshihet hartimi i Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare.
“Në fushëveprimtarinë time nuk më bie me hequr pankarta që kanë qenë, sepse ka mekanizma të drejtësisë në Kosovë që pastaj merren me mua pse e kam bërë një gjë të tillë, sepse tjetër kush i ka vendosur dhe është marrë me to. Në fushëveprimtarinë time më bie me i mbrojtë ato kur cenohen, të reagoj në mënyrë institucionale, gjë që e kemi bërë”, tha ai.
Hoti u bëri thirrje deputetëve që të bashkohen dhe ta miratojnë Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës.
“Ekspozitën ka mundur edhe mos ta financojë Kuvendi, ka mundur ta financojë dikush tjetër edhe me e pa në shesh dhe nuk do të thotë kjo që unë kam ndonjë përgjegjësi pse del një OJQ pa leje të askujt që të bëjë një aktivitet në shesh. Çfarë unë do të kërkoj është të krijohet në bashkëpunim me institucionet tjera dhe të hartohet një rregullore e qartë që asnjë OJQ, kur janë në pyetje vlerat e luftës çlirimtare, të mos ketë të drejtë të ekspozojë materiale pa verifikim paraprak nga institucionet e Kosovës, jo vetëm nga ministria, por edhe nga Instituti për Krimet e Luftës (IKKL) dhe institucionet e historisë”, tha ai.
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ngriti shqetësime lidhur me ekspozitën dhe rolin e Qeverisë dhe Kuvendit në financimin e saj, duke theksuar se ajo nuk pasqyron të vërtetën historike.
“Dua të di cili ka qenë financimi, ku dhe kujt janë shpërndarë librat dhe cilat janë pasojat e mundshme nga devijimet, qofshin ato të qëllimshme apo jo, nga e vërteta historike. Gjithashtu më interesojnë veprimet tuaja institucionale” pyeti ai ministrin Hoti.
Ministri Hoti tha ministria që ai drejton nuk është i vetmi ekzekutiv lidhur me këtë çështje.Ndërkaq theksoi se, kur kërkohet reagim dhe mbrojtje, nuk do të mungojë përkrahja nga ana e saj.
“Nuk i mësoj prej askujt vlerat e luftës dhe gjitha ato i kam brenda një shtëpie jo sepse i kam obligim të punës, porse i ruaj si vlera kombëtare.Mekanizmat janë të ndara, dhe institucionet që i mbledhin dhe i verifikojnë ato, janë të ndara. Ajo çfarë kam bërë është që kam reaguar dhe kam bërë thirrje ndaj prokurorisë. Komuna e ka dhënë lejen dhe financimin e kanë bërë disa prej organizatave dhe Kuvendi i Kosovës e jo ministria. Çka mundem me ba është se kam me kriju ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së”, shtoi ai.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Kollçaku tha se projektet që kanë të bëjnë me luftën çlirimtare Kuvendi gjithmonë i ka mbështetur , mirëpo në këtë rast, pas të gjitha asaj që ka ndodhur dhe pasaktësive të evidentuara në ekspozitë, tha se ky institucion ka marrë masë të menjëhershme duke e ndryshuar rregulloren, e cila tash e tutje për çdo projekt do të shqyrtohet në detaje se kush po e sponsorizon dhe kush e ka kërkuar.
“Ekspozita është tërhequr menjëherë dhe se tani është një proces hetimor i cili do të tregojë në fund pse dhe si ka ndodhur kjo, prandaj masat institucionale janë ndërmarrë”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së Nait Hasani dhe një nga të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, tha se ajo që ka ndodhur në Dubravë tregon për gjenocid, duke kërkuar drejtësi për mashtrimin rreth fakteve historike.
“Jam i interesuar për ekspozitën që kanë prezantuar fakte të UDB-së së Serbisë e jo tonat. Dëmi politik është i jashtëzakonshëm, sidomos kur përmendet Burgu i Dubravës. Është e dhimbshme, sepse shteti i Serbisë ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e të burgosurve. Personi në fjalë i kësaj ekspozite, që nga viti 2002, është kundër UÇK-së dhe vlerave të saj, me një grup të caktuar që e përcjell pas”, deklaroi ai.
Kurse Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka akuzuar ministren Donika Gërvalla, duke pretenduar se ajo ka financuar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
“Pak a shumë ne kemi marrë informacione se kush e ka pagur këtë ekspozitë. E dimë që Donika Gërvalla e ka paguar, që gjithmonë ka qenë kundër vlerave të UÇK-së, gjithmonë ka qenë kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare”, tha ajo.
Ndaj këtyre deklaratave reagoi kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, duke kërkuar nga deputetja që të mos bëjë deklarime të tilla, pasi personi në fjalë nuk është e pranishme në mbledhje.
Gjatë raportimit para këtij komisioni, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka prezantuar fushëveprimtarinë e ministrisë që ai udhëheq.
Sipas Hotit, ministria përfshin Inspektoratin Qendror të Punës, Agjencinë e Punësimit dhe skemat sociale, duke u angazhuar në hartimin e politikave dhe monitorimin e shërbimeve sociale.
Ai ka theksuar se ministria mbulon edhe sektorin e familjes si dhe çështjet që lidhen me vlerat e luftës çlirimtare.
Hoti bëri të ditur se është planifikuar krijimi i një departamenti të veçantë për hartimin e politikave në fushën e vlerave të luftës.
Në këtë mbledhje Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka shpallur edhe konkursin për pozitën e Avokatit të Popullit.

