Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur sot në 19 shkurt në fshatin Kçiq të Mitrovicës së Jugut, ku u përfshinë dy automjete. Si pasojë janë plagosur 6 persona, e mes tyre është një fëmijë 7-vjeçar.
Sipas Zëdhënësit të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shpend Fazliu, gjashtë të lënduarit kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa fëmija i vogël është transferuar për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Ne morëm gjashtë pacientë në emergjencë si pasojë e aksidentit. Pesë prej tyre po marrin trajtim në spitalin tonë, ndërsa një fëmijë, i lindur në vitin 2019, për shkak të gjendjes së tij më të rënduar, u dërgua në QKUK për kujdes më të specializuar. Stafi i emergjencës po kryen ekzaminime dhe trajtime të mëtejshme për të pesë të lënduarit e tjerë”, deklaroi Fazliu për Klankosova.tv.

Nga ana tjetër, Zëdhënësi rajonal i Policisë së Mitrovicës së Jugut, Avni Zaiti, bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 16:30 në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin që kalon përmes fshatit Kçiq. Sipas tij, dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin.
“Të lënduarit u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore. Njësitet e policisë kanë shkuar në vendin e aksidentit dhe po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes”, tha Zaiti. Policia vazhdon hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.

