Thursday, June 18, 2026
HomeGjeopolitikOpinionMuçaj: Edi Rama në Amerikë foli si burrë shteti!

Muçaj: Edi Rama në Amerikë foli si burrë shteti!

Nga Vladimir Muçaj:

Edi Rama në Amerikë foli si burrë shteti! Në politikën e jashtme ai shkëlqen!
Në përfundim të takimit të Bordit të Paqes në Washington, presidenti amerikan Donald Trump u takua me liderët pjesëmarrës, mes të cilëve edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Një takim i rëndësishëm jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në simbolikën që mbart për rajonin tonë, për Shqipërinë dhe për Kosovën.
Të tre liderët shkëmbyen disa fjalë mes tyre, por ende nuk dihet ekzaktësisht se çfarë u diskutua. Megjithatë, një gjë është e qartë: prezenca shqiptare në një tryezë të tillë në Washington është vetë një mesazh politik, dhe mënyra si u përfaqësua Shqipëria atje ishte më shumë se dinjitoze.
Unë, si gazetar, pafundësisht kam kritikat e mia për mënyrën se si qeveriset Shqipëria në planin e brendshëm, sidomos në mandatin e pas zgjedhjeve të 11 majit. Kam qenë herë mbështetës, herë kritik, jo për të ruajtur ndonjë ekuilibër artificial apo për konjukturë politike, por sepse ky është detyrimi moral dhe profesional i gazetarisë: të thuash atë që mendon dhe të mbash qëndrim.
Por kur vjen puna te politika e jashtme, te përfaqësimi i interesit kombëtar dhe te mënyra se si Shqipëria duhet të flasë në tryezat ndërkombëtare, Edi Rama është një tjetër nivel.
Kam shkruar edhe më parë, dhe e përsëris pa asnjë hezitim: me prezencën dhe fjalën e tij në arenën ndërkombëtare, Edi Rama mbetet kryeministri më i mirë që ka pasur Shqipëria në 33 vite post-komuniste.
Vizita e tij në Washington shënon sukses politik, sigurisht në planin personal të kryeministrit, por ajo që ka më shumë rëndësi është dimensioni kombëtar: raporti Shqipëri–Amerikë, një raport jetik për stabilitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Kulmi i këtij qëndrimi ishte fjala e tij për një nga çështjet më të ndjeshme dhe më të padrejta që po përjeton kombi shqiptar sot: gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë.
Edi Rama i kërkoi ndihmë Presidentit Trump për atë që shumë shqiptarë e konsiderojnë një farsë historike: mbajtjen në burg dhe rrezikun e dënimit të njerëzve që udhëhoqën luftën e drejtë kundër spastrimit etnik që Serbia kreu në Kosovë.
Ajo që Rama tha në atë sallë nuk ishte thjesht një deklaratë protokollare. Ishte një mesazh politik i fortë, i qartë dhe i drejtpërdrejtë, një qëndrim që e ngre Shqipërinë në rolin që duhet të ketë: avokatja e Kosovës dhe e të drejtës historike të shqiptarëve.
Fjala e tij ishte brilante. Ishte fjalë e një shtetari të mirëfilltë.
Po, Edi Rama e ka për detyrë mbrojtjen e interesave kombëtare. Por jo të gjithë politikanët e bëjnë këtë siç duhet, jo të gjithë kanë guximin, peshën dhe aftësinë për ta artikuluar në nivele të tilla.
Prandaj, edhe pse kam kritikat e mia për qeverisjen e tij të brendshme, në këtë rast nuk kam asnjë arsye të kursehem:
Edi Rama në Washington foli si burrë shteti.
Dhe për këtë meriton një Bravo.
Jo një bravo formale.
Një Bravoooo të madhe!
Sepse në momente të tilla nuk përfaqëson veten, nuk përfaqëson një parti, por përfaqëson kombin shqiptar dhe dinjitetin e tij.
Dhe këtë herë, Shqipëria foli fort. Shqipëria foli qartë. Shqipëria foli si duhet.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram