Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, një ditë për të kujtuar rëndësinë e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë që ajo përfaqëson për brezat. E në këtë ditë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përmes një video-mesazhi u bëri thirrje shqiptarëve të ruajnë dhe të flasin bukur gjuhën amtare.
“Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare! Faleminderit nxënësve dhe mësuesve të shkollës 9-vjeçare ‘Selim Alliu’ në Peshkopi, fitues aktual i konkursit kombëtar të gjuhës shqipe”, shkruan Begaj.
Në këtë video, nxënësit recituan poezinë e Gjergj Fishtës, duke theksuar pasionin për gjuhën shqipe dhe bukurinë e saj natyrore. Vargjet e Fishtës përshkruajnë gjuhën shqipe me metafora të natyrës.
“…Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit, porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.”
Poeti thekson rëndësinë e ruajtjes së gjuhës nga përbuzja dhe përdorimi i saj i pakujdesshëm.
“…edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore”.
Kujtojmë, se edhe mesazhi i presidentit mbështetur në poezinë e Fishtës, synon të frymëzojë të rinjtë dhe të gjithë shqiptarët që të ruajnë gjuhën shqipe si pjesë të identitetit dhe trashëgimisë kulturore.

