Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
“Në këtë takim diskutuam gjerësisht për zhvillimet politike në rajon, sfidat aktuale të sigurisë, si dhe për rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në proceset integruese euroatlantike”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se gjatë takimit u përmend nevoja e unifikimit përballë ndërkombëtarëve.
“U ndalëm posaçërisht te nevoja që zëri ynë të jetë i unifikuar dhe i qartë në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në çështjet që lidhen me stabilitetin rajonal, demokracinë funksionale dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar ai.
Më tej, kreu i LDK-së theksoi se Kosova dhe Shqipëria, përtej marrëdhënieve të veçanta, ndajnë përgjegjësinë që të kontribuojnë në paqen e qëndrueshme dhe perspektivën evropiane të rajonit.
“Ritheksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë institucional, të dialogut të rregullt politik dhe të përkrahjes reciproke në rrugën e integrimit evropian dhe euroatlantik. Ky bashkëpunim mbetet një shtyllë strategjike për të ardhmen e qytetarëve tanë dhe për forcimin e rolit tonë në arenën ndërkombëtare”, shkruan Abdixhiku në Facebook.

