Friday, June 19, 2026
HomeLajmeKosovëTë premten në Hagë nis gjykimi ndaj Thaçit, Smakajt, Fazliut,Kilajt e Kuçit

Të premten në Hagë nis gjykimi ndaj Thaçit, Smakajt, Fazliut,Kilajt e Kuçit

Në çështjen e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për pretendime për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve, deklaratat hyrëse janë planifikuar të mbahen të premten.

Seanca është planifikuar të fillojë në orën 9:30 dhe të përfundojë në orën 16:00.

Gjatë deklaratave hyrëse, Prokuroria dhe Mbrojtja kanë mundësinë të paraqesin përmbledhje të përgjithshme të argumenteve të tyre dhe shpjegim përmbledhës të provave që do të paraqiten.

Sipas Rregullores, ekipet e Mbrojtjes mund të vendosin nëse do t’i bëjnë deklaratat hyrëse të tyre pas asaj të Prokurores së Specializuar, ose më vonë, pas përfundimit të paraqitjes së provave nga Prokurorja e Specializuar, ose të mos bëjnë deklarata hyrëse.

Më 27 shkurt, Prokuroria do të bëjë deklaratën hyrëse të saj. Bazuar në parashtrimet publike të deritanishme, Mbrojtja e z. Thaçi dhe e z. Fazliu kanë bërë të ditur se do t’i bëjnë deklaratat e tyre në këtë kohë. Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të thërrasë dëshmitarin e parë nga tre dëshmitarët e saj.

Sa u përket hapave të ardhshëm, Prokuroria pritet të paraqesë provat dhe argumentet e veta dhe të thërrasë dëshmitarë gjatë javës së ardhshme. Mbrojtja do të ketë mundësinë të marrë në pyetje dëshmitarët.

Seancat e gjykimit janë planifikuar nga 2 deri më 6 mars.  Prokuroria pretendon se midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotërinjve Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve, dhe u dha hollësi se si të vepronin.

Në Aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga zotërinjtë  Smakaj, Fazliu dhe Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza, dhe nga z. Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Të gjithë të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore janë vetëdeklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat. Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 12 shkurt, Gjykatësi i Vetëm hodhi poshtë kërkesat e Mbrojtjes së Thaçit dhe të Kilajt për leje për apelim të një vendimi të mëparshëm të Gjykatësit të Vetëm, në të cilin ai konstatoi se një deklaratë dëshmitari nga çështja e z. Thaçi për krime lufte ishte e pranueshme si provë në këtë çështje gjyqësore.  Gjykatësi i Vetëm e hodhi poshtë kërkesën, duke konstatuar se vendimi i mëparshëm i tij ishte keqinterpretuar dhe se Mbrojtja thjesht kishte shprehur mospajtim me atë vendim.

Më 11 shkurt, Gjykatësi i Vetëm miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të bërë konstatim gjyqësor të fakteve dhe parashtrimeve në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Gjykatësi i Vetëm vuri në dukje gjithashtu se, për të bërë konstatim gjyqësor të një fakti të njohur botërisht, ai duhet të jetë relevant, logjikisht i pakundërshtueshëm, i përcaktuar mjaftueshmërisht qartë, të mos përmbajë konstatime që janë në thelb të llojit juridik në kuadër të procesit në të cilin bëhet ky konstatim, dhe të mos jetë vërtetim i përgjegjësisë penale të të akuzuarve. 

Duke pasur parasysh se Mbrojtja nuk u pajtua me cilësimin e disa provave materiale dhe parashtrimeve në fjalë, Gjykatësi i Vetëm nuk bëri konstatim gjyqësor lidhur me vlerën e vërtetësisë së përmbajtjes së parashtrimeve ose provave materiale, por vetëm të faktit se parashtrimet në fjalë ekzistojnë dhe se palët janë në dijeni të përmbajtjes së tyre. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram