Një delegacion i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë zhvilloi një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku u diskutua për bashkëpunimin institucional, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e përdorimit të sistemeve elektronike në punën gjyqësore.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, pritën në takim delegacionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë, të kryesuar nga Ilir Rusi, si dhe anëtarë dhe përfaqësues të këtij institucioni.
Gjatë takimit, Arrni falënderoi delegacionin për vizitën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve gjyqësore të dy vendeve. Ai prezantoi strukturën organizative, kompetencat dhe funksionet e gjykatës, si dhe përdorimin e sistemeve elektronike për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe menaxhimin më të mirë të lëndëve.
Kryesuesi i Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj, theksoi se forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i praktikave janë të rëndësishme për avancimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke prezantuar funksionet dhe përbërjen e këshillit.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë, Ilir Rusi, vuri theksin te standardet e profesionalizmit dhe llogaridhënies, duke prezantuar kompetencat e institucionit që drejton dhe rëndësinë e shkëmbimit të praktikave të mira gjyqësore.
Gjatë vizitës, delegacioni u njoh me sallën e të dhënave elektronike në gjykatë, ku u prezantua infrastruktura e teknologjisë informative, sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve dhe funksionimi i serverëve që mbështesin administrimin gjyqësor.
Po ashtu, delegacioni vizitoi një nga sallat e gjykimit, ku u prezantua organizimi i seancave gjyqësore, përfshirë pozicionimin e palëve në procedurë dhe përdorimin e përkthimit gjatë seancave.
Palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit institucional me qëllim avancimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në të dy vendet.

