Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, së bashku me nënkryetarin e akademisë, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe sekretarin shkencor, akademik Bardh Rugova.
Gjatë takimit, kryetarja Shiroka Pula e ka uruar kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës, duke e falënderuar për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e AShAK-ut. Ajo e ka njoftuar kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet shtetërore në funksion të nevojave dhe interesave të vendit, përmes ekspertizës shkencore që ofron Akademia, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti ka uruar kryetaren Shiroka Pula për detyrën e re dhe i ka dëshiruar suksese në punë. Ai ka theksuar prioritetet e Qeverisë, veçanërisht në fushën e arsimit dhe drejtësisë, si dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin e vendit, duke nënvizuar rolin që mund të ketë bashkëpunimi me AShAK-un në këtë drejtim.
Bëhet e ditur se palët kanë diskutuar për zhvillimet, progresin dhe sfidat aktuale në vend dhe janë pajtuar për mbajtjen e komunikimit të rregullt me qëllim thellimin e bashkëpunimit institucional.

