Elsa Myrtaj, veterinere nga Kosova me një pasion të thellë për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, ka shënuar sot një moment historik në rrugëtimin e saj profesional, duke marrë zyrtarisht licencën për ushtrimin e profesionit në Shqipëri. Me këtë arritje, ajo bëhet femra e parë nga Kosova që siguron këtë licencë, një hap i rëndësishëm që përfaqëson krenari, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj profesionit.
Elsa ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Tiranë, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), në korrik të vitit 2023. Gjatë studimeve dhe praktikës së saj profesionale, ajo është dalluar për seriozitet, përkushtim dhe dëshirë të vazhdueshme për avancim profesional.
Licenca iu dorëzua me rastin e shënimit të 98-vjetorit të Mjekësisë Veterinare Shqiptare, një ngjarje që i jep edhe më shumë simbolikë kësaj arritjeje të rëndësishme.
“Ky është një hap krenarie dhe përgjegjësie, që më motivon të vazhdoj të kontribuoj me përkushtim dhe profesionalizëm në fushën e mjekësisë veterinare,” – u shpreh Myrtaj.
Arritja e saj përbën një shembull frymëzues për të rinjtë, veçanërisht për vajzat, duke dëshmuar se përkushtimi, puna dhe vizioni i qartë sjellin rezultate të mëdha.

