10:48 / 02.03.2026
Policia në Pejë sekuestron armë dhe municion, iniciohen raste penale
M.Shefkiu/RTKLive
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se gjatë kësaj jave janë sekuestruar pesë armë të llojeve të ndryshme, si dhe municion, pas një pune intensive të realizuar nga stacionet policore në kuadër të kësaj drejtorie.
Sipas policisë, në periudhën nga 23 shkurt deri më 1 mars 2026, janë gjetur dhe sekuestruar: dy pushkë, një pushkë e tipit “dhjetëshe” me nëntë fishekë të kalibrit 7×62 mm, një pushkë gjuetie me 18 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, një revole TT, një pistoletë “Zoraki 917-T”, një karikator, një fishek i kalibrit 9×19 si dhe një thikë.
Personat e dyshuar janë intervistuar nga organet e rendit, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia ka ritheksuar angazhimin e saj në luftimin e posedimit të paligjshëm të armëve dhe ka apeluar tek qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë për rritjen e sigurisë publike.



